Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria që të hapen paralele në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë. Në reagimin e saj, ASH-ja thekson se çështja prej vitesh mbetet e pazgjidhur dhe se prek drejtpërdrejt të drejtën e fëmijëve shqiptarë për arsimim në gjuhën amtare. Sipas partisë, në shkollën “Njegosh” nxënësit shqiptarë mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe vetëm deri në klasën e pestë, ndërsa nga klasa e gjashtë deri në të nëntën detyrohen të vazhdojnë shkollimin në komuna të tjera për të pasur mundësi të mësojnë në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.
“Është e papranueshme që në vitin 2026 fëmijët shqiptarë të përballen ende me pengesa të tilla”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Partia i është referuar edhe deklaratave të ministres së Arsimit, Vesna Janevska, se është mirë që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, duke kërkuar që ky qëndrim të dëshmohet edhe me veprime konkrete.
ASH-ja pyet se çfarë i pengon institucionet që në shkollën “Njegosh” të hapin paralele në gjuhën shqipe edhe për klasat nga e gjashta deri në të nëntën.
Përgjegjësi politike, sipas ASH-së, mban edhe VLEN-i, i cili, siç thonë nga partia, hyri në Qeveri duke premtuar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa në Ministrinë e Arsimit ka edhe zëvendësministër shqiptar.
“Për çfarë shërben ky pushtet, nëse nuk mund të sigurohet as e drejta që fëmijët shqiptarë ta përfundojnë arsimin fillor në gjuhën e tyre dhe në vendbanimin e tyre?”, pyet Aleanca për Shqiptarët.
Nga ASH-ja kërkojnë që Ministria e Arsimit dhe Qeveria menjëherë të nisin procedurat për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në Idrizovë.
“Fëmijët e Idrizovës nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë një të drejtë që u takon”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.
Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë që nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut përballen me probleme për ndjekjen e mësimit në gjuhën amtare. Situatë e ngjashme është edhe në Çashkë, ku pengohet hapja e paraleles në gjuhën shqipe.



