Legjenda braziliane e futbollit, Roberto Carlos, raportohet se është konvertuar në Islam rreth katër javë më parë në Brazil. Lajmi është bërë publik nga Ali Şahin, deputet i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Turqi, pas një takimi me përfaqësues të komunitetit mysliman brazilian në São Paulo.
Sipas raportimeve, Şahin u takua me disa drejtues dhe përfaqësues të organizatave myslimane në Brazil, mes tyre edhe Hammadeh, dhe pas takimit publikoi një mesazh në rrjetet sociale ku përgëzoi Roberto Carlosin për vendimin. Ai i uroi ish-futbollistit dhe familjes së tij paqe, shëndet dhe begati.
Në takimin e zhvilluar në Islamic Charitable Youth League of Brazil morën pjesë edhe presidenti i kësaj organizate, Charif Neto, presidenti i Pari Mosque Foundation, Omar Aref, si dhe përfaqësues të organizatave të tjera islame, arsimore dhe bamirëse në vend.
Megjithatë, deri tani, Roberto Carlos nuk e ka konfirmuar publikisht vetë këtë informacion. Për këtë arsye, raportimi mbetet një pretendim i bërë nga përfaqësues të komunitetit mysliman dhe nuk duhet konsideruar si konfirmim zyrtar nga ish-futbollisti.
Roberto Carlos, 53 vjeç, konsiderohet një nga mbrojtësit e majtë më të mëdhenj në historinë e futbollit. Braziliani fitoi famë botërore kur luajti për shumë kohë tek Real Madrid, ku u shndërrua në një prej figurave më të rëndësishme të klubit dhe të futbollit ndërkombëtar.
Në vitin 2007, Carlos u transferua te Fenerbahçe në Turqi, duke vijuar karrierën e tij në një prej klubeve më të njohura të vendit. Ai mbetet një figurë shumë e respektuar nga tifozët turq dhe brazilianë për shkak të karrierës së tij të jashtëzakonshme.
Raportimet për konvertimin e tij në Islam vijnë gjithashtu në një periudhë kur jeta personale e Roberto Carlos ka tërhequr vëmendje, pasi ai së fundmi është martuar me Suhayla At Tohiri, agjente futbolli me origjinë marokene dhe që jeton në Spanjë.
/tvklan.al



