Ali Sh. Mehmeti
Pas përfundimit të luftërave të fundit në ish-Jugosllavi në vitin 1999, të shkaktuara nga hegjemonizmi serb, me ardhjen në pushtet të Zoran Gjingjiqit në Serbi dhe, veçanërisht, pas dorëzimit të Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë në vitin 2001, u krijua shpresa se në Serbi po frynin erëra ndryshimi.
Ndoshta një ndryshim i kufizuar edhe do të kishte ndodhur, po të mos ishte vrarë kryeministri serb Zoran Gjingjiq në vitin 2003.
Megjithatë, edhe sikur ato ndryshime të ishin realizuar, ato do të kishin synuar vetëm ndryshimin e strategjisë dhe të taktikës, e jo ndryshimin e objektivit përfundimtar që është: mospranimin e shtetit të Kosovës dhe pritjen e një momenti më të favorshëm për pushtimin e saj të serishëm nga Serbia, në tërësi ose të paktën të një pjese të konsiderueshme të saj.
Por as ky ndryshim nuk ndodhi. Në pushtet u rikthyen pikërisht dy partitë që kishin nxitur të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi: Partia Socialiste e Millosheviqit, e cila quhej socialiste, por në thelb ishte nacional-socialiste (e ngjashme me atë të Hitlerit), si dhe Partia Radikale e Sheshelit, e cila do të përshkruhej më saktë si një parti fashiste (e ngjashme me atë të Musolinit).
Dallimi i vetëm ndërmjet partisë së Millosheviqit dhe asaj të Hitlerit ishte se mbështetësit e Hitlerit besonin se “raca ariane” duhej të sundonte botën, ndërsa mbështetësit e Millosheviqit ishin më “modestë”: ata besonin se “raca serbe” duhej të sundonte vetëm territoret e ish-Jugosllavisë ku jetonte qoftë edhe një serb ose ku ndodhej qoftë edhe një varr serb.
Madje nuk u rikthyen vetëm të njëjtat parti, por edhe të njëjtët njerëz: Daçiq, Vuçiq, Nikoliq, Dikoviq, Drecun e të tjerë.
Mund të duket e çuditshme se si serbët nuk nxorën mësim nga e kaluara. Pavarësisht dëmeve shumë më të mëdha që u shkaktuan popujve të tjerë – veçanërisht boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve – por edhe gjithë rajonit, edhe vetë Serbia pati viktima, ndonëse deri më sot nuk ka publikuar numrin përfundimtar të të vrarëve të saj.
Mosbotimi i këtyre të dhënave bëhet qëllimisht për të mundësuar manipulime të ndryshme: që ushtarët e vrarë të paraqiten si civilë, që të zhdukurit në Kroaci të paraqiten si të zhdukur në Kosovë për të krijuar një balancë artificiale të krimeve, apo për kombinime të tjera sipas nevojës politike.
Vetë ky mosbotim do të meritonte një studim të veçantë.
Po aq e habitshme është edhe fakti që regjimi i Millosheviqit pothuajse nuk hasi në rezistencë të organizuar brenda Serbisë, me përjashtim të disa individëve, numri i të cilëve nuk i kalon gishtat e njërës dorë.
Ndër ta ishin:
• Dragiša Pavloviq, sekretar i Lidhjes së Komunistëve për Beogradin, i shkarkuar vetëm pak muaj pas emërimit në vitin 1986;
• Bogdan Bogdanoviq, arkitekt, profesor, intelektual i njohur dhe ish-kryetar i Beogradit, i cili u detyrua të emigronte në Austri në vitin 1993;
• Slavko Çuruvija, gazetar, i vrarë nga shërbimi sekret serb në vitin 1999;
• Nataša Kandiq, themeluese dhe drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, e cila, çuditërisht, mbijetoi dhe vazhdon edhe sot të jetë një zë kritik ndaj regjimit.
Ndoshta ka pasur edhe ndonjë tjetër për të cilin unë nuk kam dijeni.
Për të kuptuar pse ky ndryshim nuk ndodh dhe pse, sipas mendimit tim, nuk do të ndodhë as në 40–50 vitet e ardhshme – madje as më pas, nëse nuk plotësohen disa kushte – duhet të ndalemi te programet mësimore në shkollat fillore dhe të mesme serbe, ku vazhdon të mësohet një histori e shtrembëruar, e rrejshme sipas parimit të definuar nga “baba i kombit serb” Dobrica Qosiq, se gënjeshtra është dhunti serbe.
Aty legjenda për ndërtimin e Kalasë së Shkodrës mbi Bunë u atribuohet figurave historike serbe, ndonëse dihet se Kalaja e Rozafës është ndërtuar disa dekada para erës sonë, pra rreth shtatë shekuj përpara se fiset sllave të mbërrinin në brigjet e Danubit.
Në shkolla mësohet përmendësh edhe cikli epik i Kosovës, i ndërtuar mbi tre motive: heroizmin, tradhtinë dhe mallkimin. Përmes tij është ngulitur dhe vazhdon të ngulitet bindja se “Kosova është vuajtja, zemra, shpirti, djepi dhe Jerusalemi i Serbisë”.
Meqenëse këto këngë u krijuan pas nënshtrimit ndaj Perandorisë Osmane, ishte e natyrshme që synimi i tyre të ishte ruajtja e moralit të një populli të mundur. Heroizmi i luftëtarëve serbë u zmadhua dhe u kthye në legjendë, ndërsa shkaku i humbjes iu faturua tradhtisë, pa përmendur fare faktin historik se në Betejën e Kosovës morën pjesë edhe popuj të tjerë ballkanikë.
Tradhtia iu atribuua princit serb Vuk Brankoviq, emri i të cilit në letërsinë serbe u bë sinonim i tradhtisë.
Pasi tradhtia u paraqit si shkaku i humbjes dhe i vuajtjeve, u krijua edhe mallkimi kundër tradhtarëve. Sipas historianëve të letërsisë serbe, shumica dërrmuese e këtyre këngëve u hartuan nga Kisha Ortodokse Serbe, madje disa prej tyre disa shekuj pas Betejës së Kosovës.
Për këtë arsye, përdorimi i mallkimit ishte një mjet tipik fetar, me ndikim të madh në popullsinë mesjetare.
Ja një pjesë e atij mallkimi:
Kush është serb dhe me gjak serbi,
e nuk vjen në betejën e Kosovës,
mos pastë pasardhës,
as djem e as vajza,
as grurë në arë,
as hardhi në kodër.
Duke mallkuar ata që nuk morën pjesë në Betejën e Kosovës, synohej që “tradhtia” të mos përsëritej më.
I përsëritur brez pas brezi, ky mallkim ruajti fuqinë e tij deri në ditët tona, sidomos te shtresat më besimtare dhe më supersticioze të popullsisë. Duke qenë se lidhja e serbëve me Kishën Ortodokse mbetet ende shumë e fortë, edhe vetë mallkimi vazhdon të ketë ndikim të konsiderueshëm.
Pra, kjo ishte teknologjia me të cilën Kisha Ortodokse Serbe për shekuj me radhë u nguliti besimtarëve të saj idenë se “Kosova është vuajtja, zemra, shpirti, djepi dhe Jerusalemi i Serbisë”. Në kohët moderne, këtë rol e mori paralelisht edhe sistemi arsimor dhe vazhdon ta luajë edhe sot.
Dita e Betejës së Kosovës, 28 qershori, është njëkohësisht festa serbe e njohur si Vidovdani. Për të ruajtur simbolikën, nuk ishte rastësi që pikërisht më 28 qershor 2001 Sllobodan Millosheviqi iu dorëzua Tribunalit të Hagës.
Sipas kësaj logjike simbolike, ai u paraqit si tradhtari mbi të cilin ra mallkimi, sepse Serbia humbi Kosovën.
Me fjalë të tjera, Serbia nuk e dorëzoi Millosheviqin në Hagë sepse ai ishte përgjegjës për qindra mijëra të vrarë, të dhunuar, të gjymtuar, gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur në gjithë ish-Jugosllavinë, por sepse humbi Kosovën.
Në fakt, ai nuk ishte veçse zbatues i planeve të hartuara nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU), të paraqitura në Memorandumin famëkeq të viteve 1985–1986.
Dobësia e atij memorandumi ishte se nuk parashikoi rënien e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ngjarje që sollën ndryshime të mëdha gjeopolitike në Evropë.
Prandaj, sipas këtij këndvështrimi, përgjegjës për humbjen e Kosovës nuk ishte Millosheviqi, por autorët e projektit, të cilët nuk mund të shpalleshin fajtorë, sepse nevojiteshin për hartimin e një strategjie të re, të përshtatur me rrethanat e reja.
Kështu, në vitin 2011, gazeta “Slobodna Bosna” publikoi të ashtuquajturin Memorandumi 2 i SANU-së, i cili përshkruhej si një udhëzues për mënyrën se si “të rikthehet në paqe ajo që u humb në luftë”.
Edhe më parë data 28 qershor ishte përdorur për simbolikën e saj. Pikërisht më 28 qershor 1914, Gavrilo Princip vrau Franc Ferdinandin në Sarajevë, ngjarje që u bë shkaku i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës humbën jetën rreth 20 milionë njerëz.
Në përfundim, Serbia mund ta heqë një ditë nga Kushtetuta dispozitën që e përcakton Kosovën si pjesë të saj, dhe bashkë me diplomatët ndërkombëtarë mund të besojmë se ajo ka ndryshuar.
Megjithatë, Serbia nuk mund të ndryshojë për sa kohë që, fillimisht nga programet shkollore e më pas nga vetë ndërgjegjja kolektive, nuk hiqet koncepti i Kosovës si “vuajtja, zemra, shpirti, djepi dhe Jerusalemi i popullit serb”, si dhe bindja se serbët janë të destinuar të sundojnë mbi popujt e tjerë të Ballkanit.
Pritja e një momenti më të favorshëm për të ripushtuar Kosovën ose pjesë të Bosnjës me popullsi serbe, që ata nuk fshehin fare, do të mbetet e kotë, sepse, ata nuk do të përballen më kurrë me popullsi të pambrojtur dhe paarmatosur, si në të kaluarën, për të përsëritur krimet dhe gjenocidet.
Vetëm kjo mund t’i bëjë një ditë të reflektojnë.



