Rizvanolli: Do t’i shesim Maqedonisë deri në 73.2 milionë euro thëngjill

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të eksportojë përgjatë tri viteve deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka thënë se për herë të parë kontrata është lidhur drejtpërdrejt mes dy kompanive publike, KEK-ut dhe kompanisë maqedonase ESM.

Sipas saj, çmimi i përcaktuar është 24.4 euro për ton, pa TVSH, të cilin e ka cilësuar si dukshëm më të favorshëm për KEK-un krahasuar me kontratat e mëparshme që realizoheshin përmes ndërmjetësuesve.

“Çmimi prej 24.4 Euro për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK në krahasim me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar në Maqedoni të Veriut, KEK e ka shitur thëngjillin në një tender të jashtëligjshëm me çmim prej vetëm 8 Euro, duke përfshirë tantiemën prej 3 Euro dhe TVSh-në prej 18%”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo ka theksuar se eksporti i thëngjillit nuk do të ndikojë në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas Rizvanollit, ESM do të jetë përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë nga KEK-u.

“Përgjatë 3 viteve, KEK do të eksportojë deri në 73.2 milionë Euro thëngjill në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar Rizvanolli.

përcjell Zhurnal.mk .