Gjatë korrikut, 11 raste me HIV/AIDS, 9 burra dhe 2 gra

Gjatë muajit korrik në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 11 raste të reja me HIV/AIDS, prej të cilave 9 janë persona të gjinisë mashkullore dhe 2 të gjinisë femërore, të moshës 20 deri në 49 vjeç, thuhet në buletinin e ri për ecurinë e sëmundjeve akute infektive për muajin korrik, të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), shkruan Portalb.mk.

“Bazuar në evidencën ekzistuese të rasteve të raportuara, numri kumulativ i personave të regjistruar me HIV/AIDS në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për periudhën 1987–2026, është 765. Gjithsej janë evidentuar 141 persona të vdekur, 508 persona jetojnë me HIV/AIDS, ndërsa 116 persona konsiderohen të humbur për ndjekje”, thuhet në buletin.

Sa u përket infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme dhe përmes gjakut, gjatë muajit korrik janë raportuar shtatë raste të sifilizit, katër raste të hepatitit viral B, si dhe nga një rast me gonorre, infeksion me klamidia dhe hepatit viral C.

Ndryshe, gjatë vitit 2025, në Maqedoni janë raportuar 38 raste të reja të regjistruara me HIV/AIDS, përkastësisht 2,1 raste për 100 mijë banorë. Përkundër situatës jo të mirë, nëse krahasohemi me vendet e Bashkimit Evropian, ku paraqitja e rasteve të reja në vitin 2024 ishte 5,3 raste për 100 mijë banorë, situata në në vend mbetet më e favorshme. Përpos kësaj, ka ulje të rasteve të reja nga viti 2024.

Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), një javë më parë, ka bërë thirrje për kujdes dhe mbrojtje nga infeksionet seksualisht të transmetueshme gjatë verës. Nga Instituti theksojnë se testimi në kohë, trajtimi i duhur dhe masat parandaluese janë mënyra më e mirë për mbrojtje. Ata theksojnë se nuk duhet të përdoren antibiotikë ose barna të tjera pa rekomandimin e mjekut. Trajtimi i papërshtatshëm, siç nënvizohet, mund të shkaktojë komplikime dhe rezistencë ndaj barnave. Nga ISHP-ja rikujtojnë edhe rëndësinë e vaksinimit dhe theksojnë se ekzistojnë vaksina efektive kundër HPV-së dhe hepatitit B. Njëkohësisht, bëjnë thirrje për komunikim të hapur me partnerin dhe sjellje të përgjegjshme seksuale.

Ndërkaq, koordinatorja Kombëtare për HIV, Milena Stevanoviq, thotë se testimi në kohë është mjeti më i rëndësishëm për arritjen e qëllimit – eliminimin e HIV-it deri në vitin 2030, duke nënvizuar se zbulimi i hershëm nënkupton qasje të menjëhershme në terapi dhe ndërprerje të përhapjes së mëtejshme të virusit.

Sa i përket gjendjes në nivel global, transmetimi i virusit është i pranishëm në të gjitha vendet. Vlerësohet se në fund të vitit 2024 jetonin 40,8 milionë njerëz me HIV, prej të cilëve 65% në rajonin afrikan të OBSH-së.