Nisin regjistrimet e studentëve me kuota te reduktuara në Universitetin “Shën Kiril dhe Metodi”

Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup, sot dhe nesër zhvillohet afati i parë i aplikimit për regjistrimin e studentëve të vitit të parë. Për vitin akademik 2026/2027, i cili fillon më 1 tetor, në 23 fakultetet e universitetit më të vjetër dhe më të madh në vend janë në dispozicion gjithsej 8.851 vende, shkruan Portalb.mk.

Sipas Konkursit të UKM-së, nga numri i përgjithshëm i vendeve të lira, 4.395 janë për studentë në kuotën shtetërore (studentë me kohë të plotë që financohen nga buxheti i shtetit), 3.621 për studentë me kohë të plotë që bashkëfinancojnë studimet, ndërsa 835 vende janë për studentë me kohë të pjesshme.

Numrin më të madh të studentëve do ta pranojnë Fakulteti i Mjekësisë me 950 vende, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë (FINKI) me 800, Fakulteti i Filologjisë me 805, Fakulteti i Ekonomisë me 655, Fakulteti i Filozofisë me 635, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Matematikës me 626, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive Informatike (FEIT) dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike me nga 600 vende secili, si dhe Fakulteti i Drejtësisë me 555 vende.

Studentët e regjistruar në kuotën shtetërore do të paguajnë një tarifë vjetore prej 200 euro, në kundërvlerë me denarë, ndërsa studentët që bashkëfinancojnë studimet dhe ata me kohë të pjesshme do të paguajnë 400 euro.

Kuotat u reduktuan me rreth 2.000 vende

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në një intervistë për MIA-n deklaroi se këtë vit numri i vendeve për regjistrim është ulur me rreth 2.000 në të gjitha universitetet publike, pas një analize të tregut të punës.

Sipas saj, në disa profesione tregu është i ngopur dhe një pjesë e të diplomuarve mbeten të papunë, ndërsa në fusha të tjera ka mungesë të kuadrove dhe punësueshmëri shumë të lartë.

“Kemi ulur kuotat në të gjitha universitetet në përqindje, por pavarësisht kësaj, edhe këtë vit, si edhe vitin e kaluar, do të ketë vende të paplotësuara. Fakultetet i përcaktojnë kuotat sipas akreditimeve që kanë marrë, të cilat shpesh janë të larta, ndërsa në disa programe studimi një pjesë e vendeve mbeten gjithmonë të paplotësuara. Këtë vit kemi reduktuar rreth 2.000 vende në të gjitha universitetet”, tha Janevska.

Pas përfundimit të afatit të parë të aplikimit, lista përfundimtare e kandidatëve të pranuar do të publikohet më 27 gusht, ndërsa regjistrimi i tyre do të zhvillohet më 3 dhe 4 shtator.

Afati i dytë i aplikimit do të mbahet më 10 dhe 11 shtator, ndërsa afati i tretë më 23 shtator, vetëm në ato fakultete ku do të mbeten vende të lira.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka propozuar tre ligje për arsimin e lartë duke përfshirë, Ligjin për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë – por ato janë bllokuar nga partitë opozitare shqiptare, ku këmbëngulin që gjatë miratimit të tyre të zbatohet parimi i Badenterit,

Ndryshe, asnjë universitet i Maqedonisë së Veriut nuk është renditur në listën më të fundit “Global 2000” të Qendrës për renditjen e universiteteve botërore, gjë që ngre edhe një herë çështjen e gjendjes së arsimit të lartë, prodhimit shkencor dhe dukshmërisë ndërkombëtare të universiteteve vendase.

Pozicioni i dobët i universiteteve të Maqedonisë në lista të tilla nuk është një e dhënë statistikore e izoluar, por sinjal i problemeve më të thella: prodhim i pamjaftueshëm shkencor i njohur ndërkombëtarisht, prani e kufizuar në rrjetet globale të kërkimit, transferim i dobët i njohurive në ekonomi dhe strategji e pamjaftueshme institucionale për zhvillimin akademik.