Zjarret “djegin” Evropën – Viktima në Greqi e Spanjë, mijëra hektarë “shkrumbohen” në Belgjikë

Firefighters work as a wildfire continues to burn near Delvina, Albania, August 12, 2025. REUTERS/Florion Goga

Shtete të ndryshme evropiane vazhdojnë të përballen me zjarre të fuqishme, që kanë prekur rajone të ndryshme.

Në disa prej shteteve, situata është alarmante, derisa janë raportuar edhe viktima.

Një çift i moshuar ka humbur jetën nga zjarret në ishullin grek të Salaminës të dielën. Ngjarja ka ndodhur jashtë shtëpisë së tyre, në zonën e plazhit Peristeria, ka njfotuar Roja Bregdetare e Greqisë. Kurse, më shumë se 500 persona janë urdhëruar të evakuohen.

Ndërkohë, në Spanjë, një ushtar ka humbur jetën të dielën derisa po ndihmonte në përpjekjet për shuarjen e një zjarri të madh në Aragon.

Në Belgjikë, një zjarr që ka shpërthyer të premten në High Fens, një rezervat i madh natyror i frekuentuar nga alpinistët dhe turistët, kishte përfshirë rreth 3,000 hektarë tokë deri të dielën në mëngjes dhe po afrohej drejt kufirit me Gjermaninë.

Rreth 600 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, derisa edhe turistëve u është kërkuar të largoheshin, pasi drejtimi i erës ndryshoi dhe tymi u përhap.

Në Portugali, qindra zjarrfikës po përballeshin me një seri zjarresh. Pranë Dines, një fshat afër kufirit me Spanjën, pesë zjarrfikës u plagosën pasi automjeti i tyre mori flakë, raportuan mediat lokale. Zjarre të tjera po djegin pranë kufirit me Spanjën, përfshirë në Boticas dhe Chaves.

Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po përkeqësojnë kushtet ekstreme të motit në mbarë botën, duke sjellë fatkeqësi më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse, nga valët e të nxehtit te përmbytjet dhe zjarret.