Gjashtë turistë kanë mbetur të lënduar pasi flakët e zjarrit kanë përfshirë një hotel në Vlorë, ku pesë prej tyre janë nga Kosova.
Mjekët e Spitalit të Vlorës kanë thënë se pesë prej të lënduarve janë transportuar në Tiranë për të marrë ndihmë më të specializuar, ndërsa një tjetër po merr trajtim në spitalin e qytetit bregdetar.
“Ata kanë qenë në katin e dytë [të hotelit]. Tre ishin të djegur rëndë dhe dy ishin hedhur nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve dhe kishin pësuar fraktura të kolonës [shtyllës kurrizore]”, ka thënë për mediat shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.
Ai ka theksuar se dy prej pushuesve kanë pësuar djegie të rënda.
“Është një paciente që rrezikon jetën. Ishte djegur pothuajse 100 për qind, një tjetër mund të them 50 për qind. Ishin në mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni [Shqipëri]”, ka thënë shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës.
Breshanaj ka shtuar se një nga turistët, i cili ishte në gjendje më të lehtë, u mbajt në repartin e kirurgjisë në Vlorë.
Zjarri ra rreth orës 4:00 të mëngjesit të së dielës në hotelin “Brooklyn”, në zonën e Lungomares në Vlorë, me ç’rast Policia e ka cilësuar si aksidental.
“Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.
Një prej pushuesve nga Kosova, Luan Salihu, 21 vjeç, nga Lipjani, ka treguar për mediat se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma dhe të bërtitura.
Ai tha se nuk kishte arritur të dilte nga dera për shkak të tymit dhe ishte hedhur nga ballkoni i katit të dytë, së bashku me bashkëshorten e tij. Salihu ka treguar se gjatë rënies kishte dëmtuar këmbën dhe po merrte ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës.
Një turist nga Polonia ka treguar për mediat se ishte hedhur nga dritarja për të shpëtuar nga tymi dhe flakët, por nuk kishte pësuar lëndime.
Pas këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë së hotelit, policia tha se, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



