Rastet e shpeshta të dhunës midis të rinjve dhe mungesa e shërbimeve të specializuara për mbështetjen e familjeve dhe trajtimin e dhunës m ka nxitur nismë të re për krijimin e qendrave familjare për parandalimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve, në të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut. Propozimi, i paralajmëruar nga Partia Liberal-Demokrate (PLD), synon që këto qendra të ofrojnë mbështetje profesionale për familjet dhe të rinjtë, ndërsa në komunat që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare, mbështetja të sigurohet nga pushteti qendror, shkruan Portalb.mk.
Nevoja për mekanizma të rinj për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve vjen në një periudhë kur rastet e raportuara në shkolla vazhdojnë të jenë shqetësuese, ndërsa institucionet po kërkojnë zgjidhje më efektive për trajtimin e këtij fenomeni.
Boban Jankoski nga Partia Liberal Demokrate (PLD), për Portalb.mk, tha se propozimi ende nuk është dorëzuar zyrtarisht në Kuvend. Në periudhën e ardhshme, kryetarja e PLD-së dhe deputetja Monika Zajkova do ta dorëzojë propozimin në Kuvend. Ndërsa pas kësaj, do të kërkohet mbështetja e të gjitha partive parlamentare. Jankoski tha se kjo është çështje që prek të gjithë shoqërinë dhe se dhuna duhet të trajtohet me vëmendje, pa dallime politike, etnike apo fetare.
“Kjo nuk është çështje partiake dhe nuk është problem i vetëm një grupi qytetarësh. Dhuna dhe problemet në familje dhe mes të rinjve i prekin të gjithë, pavarësisht fesë, kombësisë, ideologjisë apo nëse jetojnë në qytet ose fshat. Prandaj, konsiderojmë se për këtë iniciativë duhet të ketë mbështetje të gjerë politike dhe shoqërore. Qëllimi ynë është që qendrat familjare të jenë të qasshme në të gjitha komunat. E dimë se te ne decentralizimi ende nuk është në nivelin e kënaqshëm dhe se jo të gjitha komunat kanë mundësi të njëjta financiare. Prandaj, aty ku komunat nuk kanë mjete të mjaftueshme, pushteti qendror duhet të sigurojë mbështetje financiare për hapjen dhe funksionimin e këtyre qendrave”, tha Jankoski.
Ai shtoi se do të vazhdojnë të bisedojnë me të gjithë akterët që mund të kontribuojnë në shndërrimin e kësaj ideje në një masë konkrete. Besojmë se kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve, parandalimin e dhunës dhe mbështetjen e familjes, dallimet politike duhet të lihen mënjanë.
Nisma vjen në një kohë kur rastet e dhunës mes bashkëmoshatarëve në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të dëgjohen shumë shpesh, ndërsa reagimi institucional lë për të dëshiruar.
Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problem.
Mesatarisht rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve raportohen çdo vit në shkolla gjatë tre viteve të fundit shkollore.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, duke theksuar se pa përfshirjen aktive të prindërve nuk mund të ketë luftë efikase kundër këtij fenomeni. Ajo bëri të ditur se janë duke u përgatitur ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet kompetente, me qëllim rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e rasteve të reja të dhunës.
Se çfarë bëjnë komunat në këtë drejtim, në tekstin e radhës do të mund të lexoni për Komunën e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Zhelinës.



