Forcat ukrainase goditën 29 objekte të infrastrukturës energjetike në territoret e aneksuara nga Rusia gjatë natës së 13 gushtit, në kuadër të operacionit të quajtur “Fikja e Krimesë”.
Sipas komandantit të Forcave të Sistemeve pa Pilot të Ukrainës, Robert “Madyar” Brovdi, mes objektivave ishte Termocentrali i Balaklavës në Sevastopol, si dhe disa nënstacione elektrike dhe një stacion i shpërndarjes së gazit.
“+29 nyje energjetike në jug të territoreve të pushtuara përkohësisht u vizituan nga Zogu i Forcave të Sistemeve pa Pilot, në kuadër të operacionit ‘Crimean Switch Off’”, deklaroi Brovdi.
Sulmet e fundit u përqendruan në Krime dhe në pjesët e aneksuara të rajoneve të Zaporizhias, Donetskut dhe Luhanskut.
Mes objektivave ishin nënstacione elektrike në Berdiansk, Mariupol, Prymorsk, Chernihivka, Mykolaivka dhe zona të tjera.
Forcat ukrainase goditën gjithashtu stacionin e shpërndarjes së gazit GRS-1 Mariupol në pjesën e okupuar të rajonit të Donetskut.
Sipas Brovdit, nga 1 korriku deri më 13 gusht, forcat ukrainase kanë goditur me sukses 240 objekte të infrastrukturës energjetike në kuadër të këtij operacioni.
Por objektivi nuk kufizohet vetëm te furnizimi me energji. Komandanti ukrainas tha se goditjet synojnë të cenojnë edhe funksionimin e infrastrukturës ruse të mbrojtjes ajrore, duke ndërprerë energjinë për radarët e palëvizshëm dhe elementë të tjerë të sistemit.



