Një burim, dy realitete: Palestinezët pa ujë, kolonët në pishinë

Në një ditë të nxehtë vere, kolonë izraelitë po laheshin në një pishinë në Bregun Perëndimor, e mbushur me ujë që më parë përdorej për vaditjen e tokave palestineze. Bëhet fjalë për një nga rastet e shumta të marrjes nën kontroll të burimeve ujore në territorin e pushtuar.

Burimi i ujit ishte jetik për fshatin palestinez Fasayil, në Luginën e Jordanit. Banorët e kanë përdorur prej brezash për shtëpitë, bujqësinë dhe jetesën e tyre.

“Furnizimi me ujë është ende i ndërprerë. Na mungon uji për shtëpitë, tokat bujqësore dhe jetesën”, tha Saad Nemer, një fermer palestinez.

Në qershor, kolonët izraelitë morën nën kontroll tubacionin që sillte ujin në tokën e Nemerit dhe e devijuan atë drejt një pishine të lashtë në një zonë arkeologjike. Më pas, vendi u promovua si atraksion turistik izraelit.

“Po zhvillojnë një park argëtues rreth pishinës”, tha Nemer.

Banorët palestinezë thonë se nuk mund t’i afrohen më burimit

Rasti i Fasayilit është pjesë e një problemi më të gjerë. Palestinezët thonë se marrja e burimeve ujore po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën e tyre në Bregun Perëndimor.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, këtë vit kolonët izraelitë kanë sulmuar të paktën 160 burime uji dhe objekte sanitare në territorin palestinez.

Pa ujë, serat dhe tokat e Nemerit kanë mbetur bosh. Në kushte normale, ai do të mbillte patëllxhanë, kunguj dhe shalqi, por toka tani është e thatë.

“Ndërprerja e ujit na ka shkaktuar humbje të mëdha. Shumë familje do të humbasin punën dhe të ardhurat”, tha ai.

Nemer tregoi gjithashtu se një punonjës i tij ishte rrahur nga kolonët dhe se ai vetë kishte marrë kërcënime kur ishte përpjekur t’i afrohej burimit.

Një kolon izraelit 21-vjeçar, Yishai Shreiber, tha se palestinezët tani nuk guxojnë të afrohen te pishina.

“Kur shohin kaq shumë njerëz duke ardhur këtu për t’u larë, kanë frikë të afrohen”, tha ai.

Shreiber deklaroi gjithashtu se Bregu Perëndimor i përket popullit hebre dhe se palestinezët që nuk pranojnë autoritetin izraelit duhet të largohen.

“Është një luftë për ujin”

Palestinezët e shohin marrjen e burimeve ujore si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për t’i larguar nga tokat e tyre. Adel Yassin, zyrtar i autoritetit palestinez të ujit, e cilësoi situatën si një “luftë për ujin”.

“Është një plumb i heshtur që i vret palestinezët pa zhurmë”, tha ai, duke iu referuar vështirësive që krijohen për banorët kur uji u ndërpritet.

Studiuesi palestinez Fares Foqahaa tha se kolonët kanë marrë kontrollin e rreth 95% të burimeve ujore në pjesën veriore të Luginës së Jordanit, duke detyruar disa komunitete të largohen.

Pishina e lashtë kthehet në atraksion

Kolonët pretendojnë se pishina i përkiste mbretit hebre Herod, por arkeologu izraelit Alon Arad thotë se origjina e saj nuk është e qartë.

Sipas tij, përdorimi i vendeve arkeologjike nga kolonët synon të krijojë idenë se Bregu Perëndimor është ekskluzivisht tokë hebraike. Ai gjithashtu paralajmëroi se mbushja e pishinës me ujë mund të dëmtojë sitin arkeologjik.

Pranë pishinës ishte vendosur një tabelë që njoftonte për një investim prej rreth 1 milion dollarë, nga ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich, për restaurimin dhe zhvillimin e “Pishinave të Herodit”.

Kur Reuters vizitoi vendin, pishina dhe burimi aty pranë ishin mbushur me familje izraelite që laheshin në ujë.

Nuk kishte asnjë palestinez.

Edhe burimet pranë Nablusit po përballen me të njëjtin problem

Një nga burimet natyrore që ende përdoret nga palestinezët ndodhet pranë Nablusit, në Wadi al-Badhan.

Deri këtë vit, zona ishte kryesisht e qetë dhe përdorej nga familjet palestineze për të kaluar kohën pranë ujit. Por gjatë verës, qindra kolonë izraelitë filluan të shkonin në këto burime.

Banorët thonë se tani ndihen të frikësuar.

“Njerëzit janë të frikësuar dhe të shqetësuar. Vijnë dhe pyesin nëse kolonët do të shfaqen apo jo“,tha Nizam Fares, pronari i një parku me burime natyrore në zonë.