Shtatë anëtarë të një bande të njohur për falsifikimin e dokumenteve, e cila ndihmonte migrantët e paligjshëm të udhëtonin nëpër Evropë, janë arrestuar ose janë dorëzuar vetë, pas përpjekjeve të Britanisë së Madhe dhe Kosovës për të penguar aktivitetin e saj.
Ambasada britanike në Kosovë bën me dije se “Rrjeti Krasniqi”, me bazë në Ballkanin Perëndimor, drejtonte një operacion të sofistikuar të falsifikimit, duke prodhuar dokumente identiteti, pasaporta dhe patenta shoferi, të cilat u mundësonin migrantëve të paligjshëm dhe trafikantëve të qenieve njerëzore të pretendonin në mënyrë të rreme shtetësinë e më shumë se 50 vendeve, përfshirë Britaninë e Madhe, raporton Klankosova.tv.
Personat që aktualisht janë nën masën e arrestit janë:
Flamur Krasniqi
Valon Krasniqi
Arif Krasniqi
Nexhmije Selmani
Shkembim Emerllahu
Sami Duriqi
Granit Avdyli
Sipas medias së madhe britanike, “The Telegraph”, Flamur Krasniqi, ka qenë anëtar i grupit që dyshohet se u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara; Valon Krasniqi dyshohet se është i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; kurse Arif Krasniqi pretendohet të jetë ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre.
Grupi përfshinte edhe Nexhmije Selmanin, e akuzuar për ofrimin e lokaleve të përdorura nga grupi për falsifikim dokumentesh dhe për përfshirje në sigurimin e pajisjeve të falsifikimit; Shkëmbim Ermellahun, i akuzuar se u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqin, i akuzuar për përfshirje në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; dhe Granit Avdylin, i cili thuhet se ka qenë i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimin e shërbimeve të grupit.
Në tetor të vitit të kaluar, pas veprimeve fillestare të organeve të rendit në Kosovë kundër tre anëtarëve të bandës, Britania e Madhe vendosi sanksione të synuara ndaj rrjetit, si pjesë e regjimit të parë në botë të sanksioneve të qeverisë kundër migracionit të parregullt.
Në muajt në vijim, pasi identitetet e tyre u bënë publike përmes sanksioneve dhe nën presionin e autoriteteve britanike dhe kosovare, shtatë nga nëntë anëtarët e njohur të bandës janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet kosovare – i fundit prej tyre u dorëzua në maj të këtij viti. /Klankosova.tv










