Pas gati një muaji, banorët e Gostivarit më në fund mund të pijnë ujë nga çezmat e tyre. Këtë e bëri të ditur kreu i Shtabit për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov gjatë konferencës për shtyp në Gostivar, ku tha se zyrtarisht nga sot hiqet ndalesa për pirjen e ujit nga ujësjellësi i qytetit dhe uji bëhet i pijshëm, shkruan Portalb.mk.
“Që nga sot, uji në Gostivar është i sigurt për t’u pirë”, theksoi Angellov.
Pas analizave dhe kontrolleve të kryera nga institucionet kompetente, është konfirmuar se uji nga ujësjellësi i Gostivarit është i sigurt për pirje dhe për përgatitjen e ushqimit.
Me këtë vendim, pas disa javësh ndalese, qytetarët e Gostivarit mund ta përdorin përsëri ujin e rubinetit për konsum.
Rezultatet e fundit konfirmojnë se uji është mikrobiologjikisht dhe bakteriologjikisht i saktë. Kjo do të thotë se janë përmbushur kushtet që uji të përdoret përsëri për pije, tha këtë pasdite drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Qytetarëve u këshillohet që ta lënë ujin të kullojë mirë nga rubinetat para se ta përdorin.
Më parë, Shtabi Kryesor i Menaxhimit të Krizave mbajti një takim mbi informacionet e fundit në lidhje me ujin e pijshëm nga ujësjellësi i Gostivarit.
Përndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lëshoi ndalesë për pirjen e ujit në Gostivar pasi u zbuluan pompa që drejtpërdrejt injektonin ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë. Inspektorët e AUV-së dolën në terren së bashku me policinë pasi u regjistrua një numër i rritur i qytetarëve me probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, më 20 korrik, drejtoresha e NP “Komunalec” nga Gostivari dhe dy punonjës të tjerë u ndaluan dhe kundër tyre u iniciua hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që e furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për ta testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve Prokuroria Publike i publikoi rezultatet sipas të cilave uji në Gostivar ka qenë jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim. Në ujë u zbuluan “baktere koliforme 2.419,6 cfu/100 ml, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua se në ujë ka një numër të rritur të kolonive bakteriale mezofile aerobe dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për sasi jashtëzakonisht të madhe të fekaleve në ujin e pijshëm.
Dhjetëra banorë të Gostivarit për çdo ditë këkojnë ndihmë mjekësore.



