Bujar Osmani: Interesat e VMRO-së dhe VLEN-it po bashkohen ndaj gjuhës shqipe

Ish-ministri i Jashtëm dhe zyrtari i BDI-së, Bujar Osmani, ka ngritur akuza të forta ndaj VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, duke pretenduar se qëndrimet e tyre ndaj gjuhës shqipe dhe elementeve kombëtare shqiptare po përputhen gjithnjë e më shumë.

Osmani thotë se fillimisht kishte menduar se sulmet ndaj gjuhës shqipe dhe elementeve kombëtare shqiptare ishin vetëm pjesë e politikës së VMRO-së. Por, sipas tij, sjellja e VLEN-it ndaj çështjeve që lidhen me barazinë ka ndryshuar këtë perceptim.

“Kam filluar të mendoj se këtu ka një pajtim më të thellë mes tyre”, është shprehur Osmani.

Sipas tij, një pjesë e udhëheqjes së VLEN-it nuk i kushton rëndësi të mjaftueshme gjuhës shqipe dhe nuk beson në konceptin e kombit, duke i konsideruar çështjet e gjuhës, flamurit dhe përfaqësimit etnik si tema që tashmë janë tejkaluar.

Osmani pretendon se VMRO-ja synon të zvogëlojë peshën kombëtare të shqiptarëve në shtet, ndërsa VLEN, në vend që ta kundërshtojë këtë qasje, po e mbështet atë përmes bindjeve të veta.

“Ndoshta prandaj kjo po kalon kaq lehtë. Nuk është vetëm pafuqia e VLEN-it. Kam frikë se është edhe bindja e tyre”, ka deklaruar Osmani. Gazeta Flaka