25 vjet Marrëveshje e Ohrit: Prej 549 punësime në polici, vetëm 40 shqiptarë — dhe politikanët shqiptarë festojnë!

Fejzi HAJDARI

Ka një pyetje që politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet t’ua përgjigjen shqiptarëve, jo njëri-tjetrit nëpër studio televizive: Çfarë po festoni pas 25 vjetësh nga Marrëveshja e Ohrit?!
Po festoni marrëveshjen, apo po festoni faktin që, një çerek shekulli më vonë, ende duhet të kërkoni atë që vetë marrëveshja e kishte përcaktuar si parim?
Sot, në vend të bilancit të rezultateve, kemi një spektakël politik me fjalime, deklarata dhe fotografi ceremoniale. Të gjithë flasin për „rëndësinë historike“ të Marrëveshjes së Ohrit, por shumë pak flasin për pyetjen më të rëndësishme: Sa prej saj është zbatuar realisht?
Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Nëse shifrat e fundit të rekrutimit në polici janë të sakta – 549 të punësuar, prej të cilëve vetëm rreth 40 shqiptarë – atëherë kemi një shembull konkret që nuk mund të mbulohet me fjalime për „integrimin“, „barazinë“ dhe „frymën e Ohrit“.
Përfaqësimi i drejtë dhe proporcional nuk është dekor për përvjetorë. Është obligim politik dhe kushtetues.

Kush duhet të japë llogari?

Është shumë e lehtë që sot një politikan shqiptar të thotë: „Ata para nesh e kanë bërë padrejtësinë.“ Dhe është po aq e lehtë që politikani i ardhshëm të thotë: „Ne nuk kemi qenë në pushtet kur kanë ndodhur këto gjëra.“
Por, shqiptarët, kanë të drejtë të pyesin: Nëse askush nuk është përgjegjës, kush e ka qeverisur këtë vend për 25 vjet?
Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua për t’u kthyer në një dokument ceremonial që nxirret nga sirtari çdo gusht. Ajo u bë në një moment krize të rëndë shtetërore dhe kishte një qëllim të qartë: të krijonte një shtet më demokratik, më të barabartë dhe më funksional për të gjithë qytetarët.
Por kur pas 25 vjetësh ende diskutojmë nëse shqiptarët janë proporcionalisht të përfaqësuar në institucionet e shtetit, atëherë kemi të drejtë të pyesim:
A është zbatuar Marrëveshja e Ohrit, apo është menaxhuar politikisht?

Shqiptarët nuk kanë nevojë për mjegull politike

Prej vitesh shqiptarëve u shitet e njëjta formulë: „Ne po e korrigjojmë atë që të tjerët e kanë bërë keq.“
Mirë. Por pas kaq shumë vitesh në pushtet, kushdo që ka marrë pjesë në qeverisje duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë dhe për atë që nuk ka bërë.
Nuk mund të jesh për 20 vjet pjesë e pushtetit dhe pastaj të sillesh sikur ke qenë opozitë ndaj vetes.
Nuk mund të festosh 25-vjetorin e Ohrit dhe njëkohësisht të kërkosh edhe një dekadë tjetër për të zbatuar parimet e tij. Kjo nuk është politikë e përgjegjshme. Kjo është shitje e shpresës politike.

Dhe problemi është më i thellë se numri i policëve

Nëse një komunitet që përbën një pjesë të madhe të popullsisë së shtetit vazhdon të përballet me disproporcion në institucionet kryesore, atëherë problemi nuk është vetëm te një konkurs pune.
Problemi është te modeli i shtetit.
Policia, ushtria, drejtësia, administrata, diplomacia dhe institucionet e tjera nuk mund të perceptohen si monopole të një grupi etnik. Nëse shteti është i përbashkët, atëherë duhet të jetë i përbashkët edhe përfaqësimi në institucionet e tij.
Përndryshe, kemi një shtet ku qytetarët janë të barabartë në Kushtetutë, por jo domosdoshmërisht në praktikë.

25 vjet më vonë, pyetja është: sa larg kemi shkuar?

Shqiptarëve nuk u duhet më një tjetër deklaratë solemne për Ohrit. U duhet bilanc.
Sa për qind e obligimeve janë realizuar?
Cilat janë afatet?
Cilat janë institucionet përgjegjëse?
Sa raste të diskriminimit janë korrigjuar?
Sa shqiptarë janë në institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe administratës?
Dhe mbi të gjitha:
Pse, 25 vjet pas marrëveshjes, ende duhet të kërkojmë atë që duhej të ishte bërë normë e shtetit?
Nëse Marrëveshja e Ohrit ishte themeli i një rendi të ri politik, atëherë pas 25 vjetësh nuk mund të jetojmë ende në fazën e „implementimit“.
Një marrëveshje që zbatohet pafundësisht, në fakt nuk zbatohet.

Dhe një gjë duhet thënë pa frikë

Faktori politik shqiptar duhet të ndalojë së kërkuari duartrokitje për çdo hap minimal, sepse pushteti nuk matet me numrin e ministrave shqiptarë. Nuk matet me numrin e zëvendësministrave. Nuk matet me fotografitë në kabinetet qeveritare.
Pushteti matet me atë se sa mund ta ndryshosh realitetin.
Nëse pas 25 vjetësh shqiptarët ende presin përfaqësim të drejtë, përdorim të barabartë të gjuhës, barazi reale institucionale dhe respektim të plotë të parimeve të Ohrit, atëherë duhet të kemi guximin ta themi:
Problemi nuk është vetëm te ata që nuk e zbatojnë Marrëveshjen. Problemi është edhe te ata që për 25 vjet kanë pranuar të qeverisin pa e realizuar atë.
Dhe nëse shifra 40 shqiptarë nga 549 të rekrutuar në polici konfirmohet zyrtarisht, atëherë ajo nuk duhet të trajtohet si një statistikë e zakonshme.
Duhet të jetë alarm politik, sepse shqiptarëve s’u duhet më një tjetër përvjetor i Ohrit. U duhet Ohri i zbatuar. Dhe pas 25 vjetësh, kjo nuk është më kërkesë maksimaliste.
Është minimumi i drejtësisë që u është premtuar.