Nga partia opozitare BDI, kanë reaguar në lidhje me punësimet e reja në policinë e RMV. Sipas tyre nga 549 policë të punësuar vetëm 40 janë shqiptarë, shkruan Portalb.mk.
Nga BDI, thonë se të dhënat e fundit nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë një rënie serioze të përfaqësimit të shqiptarëve në polici.
“Nga 549 policët e rinj të pranuar, më pak se 40 janë shqiptarë. Kjo përbën rreth 7 për qind të numrit të përgjithshëm. I njëjti disproporcion u pa edhe gjatë shënimit të Ditës së Policisë. Nga 30 policët e dekoruar si më të mirët, vetëm një ishte shqiptar. Këto dy të dhëna japin një pasqyrë të qartë të drejtimit që ka marrë politika e kuadrove në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Policia ishte një nga institucionet kryesore ku Marrëveshja e Ohrit solli ndryshim të thellë në përfaqësimin e shqiptarëve. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u vendos si standard kushtetues pikërisht për të siguruar që institucionet shtetërore ta reflektojnë karakterin multietnik të vendit”, thonë nga BDI.
Nga atje shtojnë se 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, të dhënat nga MPB tregojnë një kthim prapa në këtë proces.
“Më pak se 40 shqiptarë nga 549 policë të rinj dhe vetëm një shqiptar nga 30 policë të dekoruar janë tregues konkretë të kësaj politike. BDI do të vazhdojë të ndjekë çdo konkurs, avancim dhe emërim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në institucionet tjera shtetërore, si dhe të publikojë çdo rast të cenimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, shkruajnë nga BDI.
Ndryshe, mesatarja e të punësuarve në sektorin publik nuk e tregon strukturën e plotë të etnive në vend. Në ministri të marra së bashku, përfaqësimi i shqiptarëve është 26,03 përqind, mbi objektivin e caktuar. Por në institucionet e pushtetit qendror dhe të kontrollit, shifrat bien ndjeshëm: 11,33 përqind në Shërbimin e Qeverisë, 12,73 te zyra e Presidentit, 14,45 në Qeveri, 16,12 në Prokurorinë Publike, 17,65 në gjykata dhe 18,03 në Gjykatën Kushtetuese. I njëjti dallim shfaqet brenda ministrive. Përfaqësimi më i ulët është në Sport me 12,20 përqind, në Mbrojtje me 13,79 dhe në Transformim Digjital me 14,47, ndërsa më i larti është në Ministrinë e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive me 52,47 përqind, në Shëndetësi me 43,85 dhe në Ekonomi me 39,86. Dy vërejtje dalin vetvetiu. Nënpërfaqësimi mbetet i theksuar në sektorin e mbrojtjes, fakt me peshë simbolike duke marrë parasysh origjinën e konfliktit të vitit 2001. Dhe Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, me 52,47 përqind staf shqiptar kundrejt 34,57 përqind maqedonas, riprodhon një kritikë të njohur se institucionet e krijuara për të mbrojtur përfaqësimin e drejtë rrezikojnë të mbeten të izoluara në vend që të ndikojnë mbi politikat e përgjithshme.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.



