Danimarka paralajmëron masa kufitare nëse vazhdon fluksi i emigrantëve nga Ceuta

Danimarka është e përgatitur të forcojë ndjeshëm kontrollet e saj kufitare brenda disa orësh nëse flukset e emigrantëve fillojnë të lëvizin nëpër Evropë, tha sot kryeministrja, Mette Frederiksen, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë një debati parlamentar të nxitur nga ardhjet masive të emigrantëve në enklavën e Afrikës Veriore të Spanjës, Ceuta, Frederiksen i përshkroi imazhet nga territori si “shqetësuese”, raportoi TV2 Nyheder.

“Një politikë e rreptë imigracioni është thelbësore për Danimarkën dhe për Evropën”, u tha ajo ligjvënësve.

“Ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën jashtëzakonisht nga afër”, tha Frederiksen duke shtuar se qeveria e saj nuk do të “nguronte për asnjë sekondë” për të ndërmarrë “hapat e nevojshëm” nëse flukset e emigrantëve shfaqen në të gjithë Evropën.

Ajo tha se kontrollet kufitare mund të rriten ndjeshëm vetëm me njoftimin e disa orëve. Frederiksen mbështeti mundësinë e mbylljes së kufijve të jashtëm të Evropës në rrethana të jashtëzakonshme.

E pyetur nëse ajo mbështet propozimet që lejojnë vendet e BE-së të refuzojnë të përpunojnë kërkesat për azil gjatë presionit të ashpër, ajo u përgjigj: “Ideja për të qenë në gjendje të mbyllim kufirin – ne e mbështesim atë. Kështu që përgjigjja është po”.

Parlamenti danez mblodhi debatin mes shqetësimeve se emigrantët që mbërrijnë në Ceuta mund të lëvizin më pas drejt vendeve të tjera evropiane.

© SYRI.net