Ambasada gjermane: Deklarata e Vuçiqit për Ibrin, kontra-produktive

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka nxitur reagime të ashpra nga faktori vendor, por edhe ai ndërkombëtar, pas deklaratës së tij për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Një zëdhënës i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, ka thënë për Klankosova.tv se këto deklarata nuk janë në linjë me objektivin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Siç kemi deklaruar edhe më parë, Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj evropian. Për të bërë përparim në këtë rrugë, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. Deklaratat lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk e mbështesin këtë objektiv”, ka thënë për Klankosova.tv një zëdhënës i Ambasadës.

I njëjti u ka bërë thirrje edhe një herë të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë përparimin e normalizimit përmes dialogut.

Për këtë çështje ka reaguar edhe BE-ja, përmes zëdhënëses për çështjet e jashtme, Annita Hipper, e cila u pyet në një konferencë për media nëse deklaratat e kreut të shtetit serb dhe një veprim i mundshëm për ndryshimin e rrjedhës së lumit do të mund të ndikonin edhe në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Do ta nis me çështjen kryesore që kemi përpara, që janë deklaratat e bëra. Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprimet e mundshme, nuk e mbështesin objektivin për të pasur një marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha Hipper, transmeton Klankosova.tv.

Deklaratat e saj erdhën pasi Vuçiq tha të dielën se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e lidhur këtë me, siç pretendoi ai, qëndrimin e autoriteteve të Kosovës ndaj komunitetit serb.

Vuçiq tha se për këtë çështje ka ftuar “ekspertë”, përfshirë “inxhinierë dhe të tjerë”, ndërsa deklaroi se Serbia ka “arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së ujit të Ibrit”.

“Kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në punimet për ndërtimin e një ure në Beograd. /Klankosova.tv