Një tërmet me magnitudë 7.4 ka goditur Kolumbinë, duke shkaktuar të paktën 132 viktima dhe më shumë se 480 të plagosur. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi persona të tjerë dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.
Tërmeti u regjistrua në orën 07:34 me atë lokale, në një thellësi prej rreth 103 kilometrash, me epiqendër pranë San José del Palmar, në provincën Chocó.
Qyteti i Pereira ishte ndër zonat më të prekura. Autoritetet raportojnë rreth 40 viktima në zonën metropolitane dhe 65 ndërtesa të shembura, ndërsa në 15 prej tyre dyshohet se ka ende njerëz të bllokuar.
Edhe Cali pësoi dëme të mëdha, me 32 ndërtesa të shembura. Viktima dhe dëme janë raportuar gjithashtu në Manizales, Quibdó, Medellín dhe në rajonet Chocó e Valle del Cauca.
Tërmeti u ndje edhe në Bogotá, si dhe në vendet fqinje Venezuelë, Ekuador dhe Panama. Disa aeroporte rajonale janë dëmtuar dhe në pjesë të Pereiras është vendosur shtetrrethim gjatë natës.
Presidenti i Kolumbisë ka shpallur gjendje fatkeqësie kombëtare, duke i dhënë qeverisë kompetenca të posaçme për menaxhimin e emergjencës dhe shpëtimin e të prekurve. Më shumë se 1 mijë e 500 banesa janë raportuar të dëmtuara.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera kanë ofruar mbështetje për operacionet e kërkim-shpëtimit. Sipas USGS, rreth 1.5 milionë njerëz kanë përjetuar lëkundje të forta.



