Në prag të 35 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta anashkaojnë gjuhën shqipe dhe shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë, transmeton Portalb.mk.
Rasti i fundit ku shqiptarët dhe gjuha shqipe janë anashkaluar është videoklipi për 35 vjetorin e pavarësisë së vendit i publikuar dje nga Qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski.
Përveç se videoklipi nuk është i përkthyer në shqip, në përmbajtje nuk ka thuajse asnjë element shqiptar, me raste paraqiten disa sekuenca nga Çarshia e Vjetër e Shkupit, por pa asnjë kontekst i cili asocon te shqiptarët.
Në lidhje me këtë lëshim ka reaguar Aleanca për Shqiptarët të cilët thonë se është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi një narrativë një etnike, duke krijuar përshtypjen sikur ky shtet i përket vetëm një komuniteti.
“Shqiptarët kanë qenë pjesë e pandashme e proceseve më të rëndësishme politike dhe shoqërore të vendit, nga periudha e pavarësimit, deri te ndërtimi i institucioneve demokratike, integrimi në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Evropian. Kontributi i tyre në jetën politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe shoqërore është i pamohueshëm dhe nuk mund të anashkalohet apo të fshihet nga narrative zyrtare e shtetit”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Qeveria të tërheqë këtë spot dhe të publikojë një material të ri, dinjitoz, përfaqësues dhe gjithëpërfshirës, ku të respektohet gjuha shqipe dhe të pasqyrohet në mënyrë të denjë kontributi i shqiptarëve në historinë, ndërtimin dhe të tashmen e këtij shteti.
“Njëkohësisht, shprehim keqardhje për heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, të cilët edhe kur preket drejtpërdrejt dinjiteti, identiteti dhe përfaqësimi i shqiptarëve, zgjedhin të heshtin”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Portalb.mk kërkoi nga Qeveria se pse gjuha shqipe dhe shqiptarët janë përjashtuar nga ky videoklip, por nuk morëm përgjigje deri në publikim të tekstit.
Ohri pa artistë shqiptarë
Mbrëmë në Ohër filloi seria e paraparë të aktiviteteve kushtuar jubileut të 35-vjetorit të pavarësisë së vendit. Aktivitetet për pavarësinë zhvillohen nën moton “Fort shkëlqeu dita”, me ngjarje dhe koncerte në 11 qytete. Ajo që bie në sy edhe në këtë rast është përjashtimi i artistëve shqiptarë.
Edhe për këtë e pyetëm Qeverinë se pse nuk ka të angazhuar shqiptarë në këto organizime.
Nga Qeveria u arsyetuan se në Tetovë do të ketë të angazhuar edhe interpretues në gjuhën shqipe, duke mos dhënë detaje se kush do të jenë si dhe për ngjarjet tjera.
“Ky spektakël me rastin e 35 viteve të pavarësisë është paraparë të ketë veçori në të gjitha shfaqjet në 11 qytete, përkatësisht të jetë i ndryshëm në pjesën muzikore-skenike. Prandaj, konkretisht, është paraparë edhe program i veçantë për festimin në Tetovë dhe janë angazhuar edhe interpretues në gjuhën shqipe”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.
Përpos që nuk kishte shqiptarë, kishte dhe gabim me flamurin maqedonas, ku dielli me tetë rreze u zëvendësua me flamur me 12 rreze.
Karvani do të përfundojë më 4 shtator në sheshin “Maqedonia” në Shkup. Përmbyllja do të jetë performanca e David Guettas në stadiumin e qytetit në Shkup.
Më 8 shtator 1991, në Republikën e Maqedonisë u zhvillua referendum ku mbi 95% votuan për shtet të pavarur, pas të cilit u shpall Republika e pavarur e Maqedonisë, e cila deri atëherë ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.



