Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjakovë kundër 20 personave.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiç.
Grupi prej 20 personave akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve dhe ndaj tyre, Prokuroria Speciale ka kërkuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.
Të akuzuarit të cilët ngarkohen me veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” u identifikuan nga Prokuroria vetëm me iniciale: M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G. dhe T.A..
Prokuroria ka dhënë detaje edhe pozitat të cilat i kanë shfrytëzuar në atë kohë të akuzuarit.
Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, “si pjesëtarë të njësive të lartcekura akuzohen për pjesëmarrjen në vrasjen e 107 civilëve gjatë një “operacioni të gjerë ushtarako-policior”.
“Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se mesazhi me ngritjet e aktakuzave është i qartë, i drejtë se sado që mbrohen nga Serbia ata do të duhej të dorëzohen në organet shtetërore të Kosovës.
Për shkak që gjykimi do të zhvillohet në mungesë, Dashevci për “Bota sot” shprehet se është e qartë se nuk ndihen komod apo qetë në vepra që ngarkohen.
“Mesazhi i dërguar për ngritjen e aktakuzës ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 personave të tjerë për krime lufte, veçanërisht duke pasur parasysh rolin e tij në zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të Kosovës është i qartë i drejtë dhe pa marrë parasysh që janë në mungesë, herët apo vonë me ndërrimin e establishmentit në Serbi sepse kanë mbrojtjen e tyre atje dihet kjo fare mirë, herë do kurrë do të duhet t’i dorëzojnë, te organet tona shtetërore/ gjyqësore, nuk parashkruhen këto vepra të rënda penale asnjëherë. Duke qenë se Prokuroria ka kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, kjo ka ndikimin e vet te ata të dyshuar, nuk ndihen fare komod ose të qetë vepra i ngarkon, sillen vetëm në Serbi sepse procesi në përpjekjet e Kosovës për të vendosur drejtësi dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar për arrestimin e të akuzuarve nuk ndalet, kudo që hasen dhe ka qasje në ta arrestohen dhe dalin para drejtësisë për veprat që dyshohet se i kanë bërë kudo dhe kushdo qoftë ai ose ata”, deklaron Dashevci.
Tutje, ai shton se drejtësia duhet t’i gjejë kudo që janë.
“Është punë shumë e mirë e organeve tona në ndjekjen e atyre që kanë shkaktuar këto masakra të tmerrshme, e drejta dhe faktet janë në anën tonë dhe unë mendoj që drejtësia duhet dhe do ti gjej kudo që janë herët apo vonë me gjykim në mungesë ose gjykatore me pranin e tyre”, përfundon eksperti.
Kujtojmë, se në prill të vitit 2025, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin dhe 19 serbë të tjerë nën dyshime për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve në Gjakovë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.
Në arsyetimin për fletarrestimin thuhej se më 1998-99, te vendi u quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, përfshirë edhe të pandehurit, filluan të hynin shtëpi për shtëpi, “ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë”.
Po ashtu, në dokumentin për fletarrestimin thuhej se ky grup personash, ku bën pjesë edhe Radoiçiq, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët u mbajtën në “burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”.
Në fund, siç tha Gjykata Themelore e Gjakovës, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Provë e qëllimeve gjenocidiale serbe
Ndërsa, gazetari Gëzim Olluri, konsideron se gjykimet e ngjashme shërbejnë si mekanizma institucionalë për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Sipas tij, trajtimi i provave nga terreni në rrafshin juridik iu jep formë ligjore dëshmive të luftës.
“Ndonëse të vonuara, ngritja e aktakuzave të tilla mbart një peshë morale dhe historike në raport me të kaluarën e Kosovës. Gjykime të ngjashme shërbejnë si mekanizma institucionalë për ruajtjen e kujtesës sonë kolektive, duke siguruar që tragjedi si rasti i Gjakovës në këtë rast të mos zbehen me kalimin e kohës.
Trajtimi i provave nga terreni në rrafshin juridik iu jep formë ligjore dëshmive të luftës, duke dëshmuar se përballja me të kaluarën nuk ndodh pa u ndëshkuar kriminelët dhe pa u pranuar e vërteta nga agresori. Gjetjet që kryhen në raport me krimet e luftës kalojnë në një dimension të ri kur trajtohen nga institucionet dhe shërbejnë si një arkivë e pamohueshme për brezat e ardhshëm”, deklaron Olluri për “Bota sot”.
Përballja e akterëve të krimit dhe kriminelëve me drejtësinë dhe dënimi i tyre, sipas Ollurit, lehtëson sadopak dhimbjen e familjarëve.
Sipas tij, aktakuza nuk duhet të shihet si proces i zakonshëm gjyqësor, por të konsiderohet si provë e qëllimeve gjenocidale të Serbisë.
Ai shton se pesha e gjykimeve të kësaj natyre i kalon kufijtë e një procesi penal ordiner.
“Përballja e akterëve të krimit dhe kriminelëve me drejtësinë, si dhe dënimi i tyre nga institucionet e drejtësisë sadopak e lehtëson dhimbjen e familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës nga forcat pushtuese të Serbisë.
Përtej ndjekjes penale të xhelatëve (kuptohet që duhet pritur gjykimi përfundimtar), ky proces është një akt nderimi për viktimat. Në këtë rast, aktakuza për vrasjen e 107 civilëve shqiptarë në Gjakovë nuk duhet të shihet si një proces i zakonshëm gjyqësor, por të konsiderohet si provë e qëllimeve gjenocidale të Serbisë. Pesha e gjykimeve të kësaj natyre i kalon kufijtë e një procesi penal ordiner. Përballja e shoqërive me të kaluarën është parakusht për stabilitet politik dhe nuk mund të ketë negociata të sinqerta me Serbinë, nëse kjo e fundit nuk merr përgjegjësi për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve”, përfundon Olluri për “Bota sot”.



