Alarm pranë rezidencës së Trump, avionët civilë shkelin zonën e ndaluar të fluturimit, ndërhyjnë F-16-të amerikanë

Dy avionë civilë janë interceptuar nga avionë luftarakë amerikanë të tipit F-16, pasi hynë në një zonë ku ishte vendosur përkohësisht ndalimi i fluturimeve pranë klubit privat të presidentit amerikan Donald Trump, në Bedminster të New Jersey-t.

Lajmi është bërë i ditur nga forcat e armatosura amerikane dhe është raportuar edhe nga mediat në SHBA.

Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) konfirmoi se avionët F-16 u ngritën me urgjencë dhe interceptuan dy avionët civilë, duke i shoqëruar më pas jashtë zonës së ndalimit të fluturimeve.

Sipas Fox News dhe New York Post, incidenti ndodhi në një distancë të afërt nga klubi i Trump, ku presidenti amerikan po kalonte fundjavën.

Forcat e Armatosura të SHBA-së nuk kanë bërë të ditur numrin e avionëve luftarakë që u ngritën në ajër për të kryer interceptimet. Gjithashtu, në njoftimin zyrtar nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me dy avionët civilë, të përshkruar si “avionë të aviacionit të përgjithshëm”, të cilët kishin hyrë në zonën ku fluturimet ishin të ndaluara.

Vendosja e zonave të përkohshme të ndalimit të fluturimeve në hapësirat ku ndodhet presidenti i SHBA-së është një masë e zakonshme sigurie.

Megjithatë, shkelje të tilla ndodhin herë pas here, kryesisht nga avionë të vegjël, pilotët e të cilëve nuk kanë qenë në dijeni për kufizimet e vendosura në zonë.

Pas incidentit, NORAD u ka rikujtuar pilotëve rëndësinë e kontrollit të vazhdueshëm të njoftimeve për aviatorët, të njohura si NOTAM, ku publikohen informacionet dhe kufizimet që lidhen me fluturimet.