Revista «Oko» e Zagrebit botoi më 13 shtator 1980 këtë përkujtim me rastin e vdekjes së profesor Eqrem Çabejt (06.08.1908 – 13.08.1980). Përkundër rrethanave të kohës, të cilat ishin të shoqëruara me përplasje ideologjike mes udhëheqjeve komuniste, ky është një shkrim brilant. Lexim të këndshëm!
Eqrem Çabej (1908-1980)
Më 13 gusht në Tiranë u mbyll një jetë e pasur dhe fisnike. Profesor Eqrem Çabeji tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës dhe të zakoneve të popullit të vet si dhe të popujve të tjerë që jetojnë në Ballkan.
Vdekja e tij godet posaçërisht popullin shqiptar dhe të gjithë ata që merren me historinë, gjuhën dhe kulturën e tij.
Eqrem Çabej studioi linguistikën indoevropiane në Vjenë, ku mbrojti edhe tezën e vet të doktoranturës “Italoalbanische Studien” para profesorëve të vet dhe indoevropianistëve të shquar Paul Kretschmer dhe Norbert Jokl. Pas kthimit në Shqipëri punoi si mësues në vendlindje (Gjirokastër). Kjo periudhë e parë e punës së tij nga viti 1933-1945 karakterizohet nga interesime fushash të ndryshme. Çabej merret me letërsi, me kritikë, me folklor, muzikologji, etnografi, harton tekste gjuhësore e letrare për shkolla, etj. Më 1935 boton veprën me rëndësi nga fusha e etnologjisë me titull “Sitten und Gebräuche der Albaner”. Në monografinë “Për gjenezën e literaturës shqipe” më 1938 merret me problemet e gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare. Këtë punë e vazhdoi me krestomacinë “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”.
Gjatë luftës punon në Institutin për studime albanistike në Romë rreth atlasit të gjuhës shqiptare. Në të njëjtën kohë fillon punën e vet shumëvjeçare dhe historike për transkribimin e tekstit të parë më vëllimor në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Buzukut, që doli në Tiranë më 1968. Në atë kohë merret intensivisht edhe me studimin e dialektit verior të gjuhës shqipe, sidomos nga aspekti fonologjik. Kjo i hap rrugë në fusha ku më së shumti i dha shkencës së albanistikës dhe asaj të ballkanistikës – linguistikën historike të gjuhës shqipe dhe të gjuhëve ballkanike, pastaj punimet në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe në tetë vëllime. Kjo vepër monumentale fatkeqësisht mbeti e papërfunduar. Deri më tash kanë dalë dy vëllime, kurse edhe dy janë në dorëshkrim. Një fjalor i tillë është kërkesë e pazëvendësueshme dhe vepër nisëse e të gjithë studimeve serioze ballkanologjike. Shqiptarët janë populli më i vjetër autokton i Ballkanit prandaj edhe gjuha e tyre, dhe vetëm me ndihmën e saj mund të shpjegohen më hollësisht dukuri të ndryshme karakteristike në bashkësinë gjuhësore ballkanike.
Studimet albanistike na hapin rrugë edhe për arkeologjinë linguistike të Ballkanit, çështje të gjuhës ilire e trakase, onomastikë, paleoballkanike, etj.
Punimet nga fusha e arkeologjisë zënë vend të posaçëm në opusin e këtij polihistoriku, njeriu që ia doli të bëhet autoritet që nuk mund të lihet anash në të gjitha ato fusha me të cilat u mor. Populli dhe shkenca shqiptare me vdekjen e këtij njeriu dhe humanisti të madh humbën shumë, kurse të gjithë popujt e Ballkanit njeriun që më së shumti dinte për ta dhe të cilëve ua kushtoi tërë jetën dhe veprën e vet.
(Shkrim i publicistit e analistit te mirenjohur shqiptar z.Enver Rrobelli, i punlikuar ne profilin e tij ne facebook)
“Oko”, gazetë për kulturë dhe art, u themelua në vitin 1973 në Zagreb. Fillimisht botohej çdo javë, ndërsa që nga viti 1974 dilte çdo dy javë. Numri i fundit doli në janar të vitit 1991.



