Hiqet flamuri i Ukrainës nga qendra e Prishtinës

Flamuri gjigant i Ukrainës, i cili prej fillimit të pushtimit rus në vitin 2022 qëndronte në qendër të Prishtinës si simbol i solidaritetit të Kosovës me popullin ukrainas, është hequr të dielën.

Pamjet e largimit të flamurit janë publikuar në rrjetet sociale nga qytetarë. Deri më tani nuk ka një sqarim zyrtar për arsyet e heqjes së tij.

Heqja e flamurit vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, deklaroi se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Sa i përket shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar”, deklaroi Zelensky në konferencën e përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Deklarata e presidentit ukrainas u komentua gjerësisht në Kosovë, pasi Prishtina ka qenë ndër mbështetëset më të vendosura të Ukrainës që nga fillimi i luftës.

Institucionet e Kosovës dënuan menjëherë agresionin rus, iu bashkuan sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, ofruan ndihmë humanitare, mjekësore dhe ushtarake për Kievin, strehuan gazetarë dhe qytetarë ukrainas në kuadër të programeve të mbrojtjes së përkohshme, ndërsa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës morën pjesë në trajnimin e ushtarëve ukrainas në kuadër të misionit britanik Interflex.

Pikërisht në këtë kontekst, flamuri i vendosur në zemër të Prishtinës ishte shndërruar në një nga simbolet më të dukshme të mbështetjes së Kosovës për Ukrainën gjatë katër viteve të fundit.