VLEN kërkon sqarime nga Prokuroria për mungesën e aktakuzës ndaj Artan Grubit

Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj që kur Artan Grubit, të cilin VLEN e cilëson si “kutinë e zezë” të BDI-së, iu caktua masa e arrestit shtëpiak në rastin “Lotaria”, por deri tani nuk është bërë e ditur asgjë për një aktakuzë. Afati maksimal i kësaj mase përfundon më 22 gusht, ndërsa, sipas VLEN-it, Prokuroria po vepron me ritëm shumë të ngadaltë.

Partia shpreh dyshimin se procedurat mund të jenë zgjatur për shkak të asaj që Grubi mund t’u ketë rrëfyer autoriteteve.

VLEN rikujton gjithashtu se pa zhvillime mbetet edhe dosja që lidhet me përfshirjen e Grubit në listën e zezë amerikane, duke vlerësuar se opinioni publik ka të drejtë të dijë se deri ku ka arritur kjo çështje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat partia i quan partner strategjik, e përfshinë Grubin në listën e zezë për korrupsion të nivelit të lartë. Sipas këtij qëndrimi, ai dhe gjykatësi Enver Bexheti kanë marrë ryshfet për lirimin nga burgu të Sasho Mijallkovit.

“Artan Grubi nuk është një ish-funksionar dosido. Ai është kutia e zezë e BDI-së dhe di kush i drejtonte fijet, kush i ndante pazaret dhe në xhepat e kujt përfundonin paratë e kumarit. Për këtë arsye, Ali Ahmeti ka arsye të flejë me njërin sy hapur dhe tjetrin te Grubi”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Për t’i hequr këtë shqetësim Ali Ahmetit dhe për t’i ofruar opinionit një pasqyrë të qartë, VLEN i kërkon Prokurorisë të mos e trajtojë drejtësinë si një lojë kukafshehti. Partia kërkon që institucioni të shpjegojë pse ende nuk është ngritur aktakuzë në rastin “Lotaria”, ku kanë mbetur procedurat dhe cilat veprime janë ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane.