Shkruan: Fejzi HAJDARI
Tabela që vendoset sot dhe hiqet nesër, nuk është thjesht një tabelë. Është një test i fuqisë politike!
Kur gjuha shqipe shfaqet e zhduket nga hapësira publike, sipas humorit të administratës, problemi nuk është më vetëm teknik; është problemi i respektimit të një të drejte të garantuar me ligj.
Herë vendoset, herë hiqet tabela në shqip në “Tabanoc”, sikur gjuha shqipe të ishte një dekor që administrata e vendos kur i teket dhe e heq kur i teket.
Por, problemi nuk është tabela. Problemi është tek mesazhi!
Kur një e drejtë e shqiptarëve mund të ndizet e fiket si një llambë, atëherë dikush po na tregon se sa peshë ka realisht ajo e drejtë në institucionet e këtij shteti.
Dhe këtu politika shqiptare nuk mund të luajë më rolin e të indinjuarit të përhershëm. Për 25 vjet ka qenë në pushtet. Ka pasur ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë, këshilltarë dhe koalicione. Çfarë ndërtoi që nesër askush të mos mund ta prekë më këtë të drejtë?
A po e kuptoni, nëse pas 25 vitesh ende duhet të bërtasim (protestojmë) për një tabelë, atëherë diçka nuk shkon definitivisht në këtë shtet. Si është e mundur që dikujt kur t’i teket të tallet me gjuhën shqipe respektivisht shqiptarët???
Postet politike të shqiptarëve nuk janë, nuk paraqesin më fuqi. Fuqi është institucioni që funksionon edhe kur ti nuk je në të.
Maqedonasit e politikës mund të testojnë kufijtë. Por, pyetja është: pse politika shqiptare ua ka lënë kaq shumë hapësirë për t’i testuar?
Ndoshta problemi nuk është se pala tjetër është tepër e fortë. Ndoshta problemi është se pala shqiptare është mësuar të kënaqet me shumë pak apo hiç, sa i përket mbrojtjes se interesit shqiptar.
Dhe kjo është pjesa më e hidhur:
Shqipja nuk ka nevojë për më shumë deklarata. Ka nevojë për më shumë fuqi institucionale.
Për shkak se, një gjuhë që duhet të kërkojë çdo ditë leje për t’u parë, nuk është ende një gjuhë që politika e ka mbrojtur siç duhet.
Tabela mund të vendoset sërish nesër. Pyetja është: kush do të garantojë që të mos hiqet përsëri pasnesër?



