Angellov: Uji në Gostivar gradualisht po stabilizohet

Gjendja me ujin në Gostivar gradualisht po stabilizohet. Numri i baktereve është ulur ndjeshëm, por uji ende nuk është i përshtatshëm për përdorim si ujë i pijshëm dhe mbetet në fuqi ndalesa për pirjen dhe përdorimin e tij për gatim. Uji mund të përdoret si ujë teknik. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari është ajo që do të përcaktojë se kur uji do të jetë i sigurt për pije, deklaroi sonte drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, i cili njëkohësisht është edhe shef i Shtabit të Krizës të formuar nga Qeveria. Angellov tha se me shumë gjasa uji do të lejohet për pije javën e ardhshme, nëse rezultatet mbeten të tilla siç janë tani.

Sa i përket pranisë së bakteries nga uji i ndenjur në rrjetin e ujësjellësit, Angellov në një intervistë për TV Kanal 5 tha se në opinion ka pasur një keqkuptim, sepse sasia e kësaj bakterie ka qenë shumë e ulët, por megjithatë e bën ujin të papërshtatshëm për pije, jo edhe të rrezikshëm për qytetarët që ta përdorin si ujë teknik.