Kurti i ofron PDK-së postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të mbështetjes për presidentin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës, postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit.

Në një letër drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Kurti ka shprehur keqardhje për refuzimin e takimit nga ana e kësaj partie, duke theksuar se komunikimi mes subjekteve politike duhet të zhvillohet përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm përmes shkresave zyrtare, njofton Dukagjini.

Kurti ka deklaruar se e respekton vendimin e PDK-së për të qëndruar në opozitë, por ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit janë procese që kërkojnë bashkëpunim nga të gjitha forcat politike.

Sipas tij, kontributi i PDK-së në këtë proces nuk duhet të kufizohet vetëm në propozimin e emrit për nënkryetar të Kuvendit, por edhe në pjesëmarrjen në zgjedhjen e presidentit, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar Kurti.

Në fund të letrës, Kurti i ka propozuar PDK-së një marrëveshje sipas së cilës kjo parti do të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për president/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e Kurtit.