Pesë raste të reja të etheve të Nilit Perëndimor janë konfirmuar nga rastet që më herët ishin të dyshuara për këtë infeksion. Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup aktualisht janë të hospitalizuar gjithsej 15 pacientë me këtë infeksion. Sipas informacioneve nga kjo klinikë, Tre prej tyre janë në gjendje kritike dhe po trajtohen me ventilim mekanik. Pacientët e konfirmuar janë kryesisht mbi moshën 60-vjeçare dhe të gjithë kanë sëmundje shoqëruese.
Përveç një pacienti që kishte histori udhëtimi jashtë vendit, të gjithë të tjerët janë banorë të Shkupit dhe rrethinës. Sipas të dhënave nga klinika, kjo tregon se infeksioni është marrë brenda vendit dhe lidhet me pickimin e mushkonjave të infektuara.



