Familja konfirmon tragjedinë, tre mërgimtarë nga Ferizaj humbën jetën në aksident gjatë kthimit për në Gjermani

Familja Aliu ka konfirmuar aksidentin tragjik në të cilin humbën jetën tre mërgimtarë nga Komogllava e Ferizajt, teksa po ktheheshin nga Kosova drejt Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Sipas familjarëve, viktimat ishin nisur nga Kosova të mërkurën, rreth orës 11:30, me destinacion Gjermaninë, ndërsa aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Familjarët kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një vetaksident dhe se në automjet ndodheshin vetëm tre personat që humbën jetën, pa pasagjerë të tjerë.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën Tahir Aliu (61 vjeç), djali i tij Gentian Aliu (34 vjeç) dhe Laurent Aliu (16 vjeç), duke lënë në pikëllim familjen, të afërmit dhe bashkëqytetarët.

Për aksidentin kanë raportuar edhe autoritetet gjermane, të cilat kanë konfirmuar se tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti. Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimeve nga organet kompetente në Gjermani./Albinfo.ch