Aeroportet e Maqedonisë janë ndër më të shpejtat në rritje në rajon dhe kjo është rezultat i punës së bërë gjatë 25 muajve të fundit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai shtoi se numri i fluturimeve dhe pasagjerëve në shtatë muajt e parë të vitit nuk është rritur vetëm me 1, 2 apo 3 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por me 20, 30 apo 40 për qind.
“Është inkurajues fakti se operatori i dy aeroporteve ndërkombëtare, por edhe Ministria e Transportit, kanë konfirmuar se të dy aeroportet janë me rritjen më të shpejtë në rajon sa i përket numrit të pasagjerëve. Edhe Banka Botërore e ka theksuar këtë në pjesën për turizmin”, tha Mickoski.
Sipas tij, këto rezultate janë lajm i mirë për qytetarët dhe për të gjithë ata që i dëshirojnë të mirën vendit.
“Puna që kemi bërë gjatë 25 muajve të fundit gradualisht po konsolidohet dhe po tregon shenja të qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj krizave që kanë ndodhur, ndërsa rezultatet po bëhen gjithnjë e më të dukshme”, theksoi kryeministri.
Mickoski shtoi se rritja e numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve është shumë e rëndësishme për Qeverinë dhe se kjo i motivon të vazhdojnë në të njëjtin drejtim.
“Turizmi është një nga prioritetet e Qeverisë. Mund ta shihni se çfarë po ndodh këto ditë, veçanërisht në perlën tonë turistike, por jo vetëm aty, edhe në të gjithë territorin e vendit”, deklaroi Mickoski.



