Ndërpritet seanca konstituive, Kurti kërkon kohë shtesë për presidentin

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të janë mbledhur në seancën konstituive të Kuvendit. U formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe u bë betimi i deputetëve. Për kësaj kryetari i Vetëvendosje Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për siç ka thënë diskutimet për presidentin dhe kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë seancën. Ai ka thënë se për vazhdimin e saj do të njoftojnë me kohë. Kuvendi ka kohë për konstituim deri nesër.

Miftaraj: Vendi nuk shkon në zgjedhje edhe nëse nuk konstituohet Kuvendi

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, mosrealizimi i kësaj “nuk prodhon automatikisht pasoja juridike””.

Kjo do të thotë se jo domosdoshmërisht duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, kjo situatë “delegjitimon gjithçka”, ndërsa nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 tetor, vendi shkon në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik 2026. Rrjedhja e afateve nisi më 9 korrik. Që do të thotë se Kuvendi ka kohë deri nesër në mesnatë për t’u konstituar.

Zemaj: Brenda ditës mund të ketë lëvizje pozitive
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka lënë të hapur mundësinë që gjatë të enjtes mund të ketë përparim në bisedimet për presidentin me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive, por mbetet të shohim ka ose nuk ka”, ka thënë ai para mediave.

Zemaj ka thënë se LDK-ja nuk ka qenë “as e njoftuar” për kërkesën e kryetarit të LVV-së për shtyrje të seancës konstituive, ndërkohë që e ka kritikuar Albin Kurtin.

“Ishte i pritshëm propzoimi i emrit sepse nuk ka debat në seancën konstituive, por ky është Albin Kurti, ai di edhe të debatoj, edhe të hapë fushatë elektorale, edhe të kërkojë kohë shtesë duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe mbi vullnetin politik”, u shpreh ai.

Ai ka theksuar se çdo shtyrje e afatit kushtetues ”na futë në krizë kushtetuese”.

Tahiri – Kurtit: A i pate more burrë 30 ditë kohë për diskutime?
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës e ka quajtur taktikë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të fituar kohë që të marrë të tri institucionet kyçe të vendit.

Tahiri ka thënë se s’ka kuptim të kërkohet kohë kur 30 ditë i ka pasur Kurti për diskutime me partitë politike për ndonjë marrëveshje të mundshme për çështjen e presidentit. Tahiri ka ngritur edhe dyshimet nëse Kurti dëshiron të krijojë ndonjë rast për Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të shtyhet edhe më tej konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ka kaluar afati kushtetues sepse sot janë bërë 30 ditë dhe sot kur është dashur që Kuvendi të jetë funksional, sot del kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe iu thotë qytetarëve na duhet kohë. Po a patët morë burrë kohë 30 ditë për diskutim me partitë politike për një marrëveshje politike. Nëse ka qenë qëllimi që të dalë nga ky rreth vicioz dy-vjeçar pse nuk ka folur me partitë politike për presidentin e Kosovës sepse nyja është te presidenti por e ka neglizhuar deri në këtë ditë. A po dëshiron Kurti që ta krijojë edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese që ende të shtyhet konstitutimi. Kjo është taktikë që të marrë ndonjë pazar politik, të fitojë kohë e t’i marrë të gjitha institucionet që në fakt nuk i takojnë një subjekti politik”, ka thënë Tahiri.

Hamza: LVV-ja po vazhdon sjelljet e papërgjegjshme, po abuzon me pozitën e kryesuesit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për presidentin duke e shtyrë seancën konstituive.

Hamza ka thënë se LVV-ja po tregon mungesë serioziteti.

“Siç e vërejtët kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme në raport me institucionet. Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin, dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, ka thënë Hamza.

I pyetur për një takim me Kurtin, Hamza ka theksuar se “s’kemi nevojë të takohemi” duke shtuar se ka pasur mungesë të “një oferte të përgjegjshme”.

Ndërpritet seanca konstituive, Kurti kërkon kohë shtesë për diskutime për president

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.

Në fjalën e tij, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme të zhvillojë bisedime edhe me PDK-në dhe Aleancën, pavarësisht refuzimit të deritanishëm të këtyre partive. Pas takimit të parë, Hamza i PDK-së ka thënë se më nuk kanë për çka të takohen për shkak se kanë vendosur të jenë në opozitë. E bisedimet me LDK-në është paralajmëruar se do të vazhdojnë.

“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend.

Ai shtoi se konstituimi nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke kërkuar kohë shtesë për diskutimet për çështjen e presidentit.

“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.

Pas kësaj, Dehari e ndërpreu senacën. Për vazhdimin e saj, kryesuesi ka thënë se do të njoftoheni me kohë.

Kuvendi ka kohë për konstituim deri nesër.

Betohen deputetët e rinj të Kuvendit
Deputetët e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës kanë bërë sot betimin në seancën konstituive, duke marrë zyrtarisht mandatin e tyre si përfaqësues të popullit.

Formohet Komisioni për verifikim të mandateve

Deputetët e Kuvendit kanë votuar për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikim të mandateve.

Seanca shkoi në pauzë 30 minuta për t’i dhënë Komisionit kohë që të përgatitet.

Në rend dite më pas është betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve.

Tahiri: Aleanca do të ndihmojë në formimin e institucioneve nëse plotësohen kushtet tona

Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se Aleanca do të ndihmojë në formimin e institucioneve.

Ai shtoi se Kosova nuk ka kohë dhe energji për të humbur me “lojëra e pazare politike”.

“Nuk ka ndryshuar asgjë, ajo që mund të ju them qytetarëve të Kosovës është shumë e thjeshtë, ne jemi në një seancë konstituive me vonesë shumë të madhe, konstituimi i Kuvendit është dashur të ndodhte menjëherë pas certifikimit të rezultateve, nuk ka asnjë arsye dhe asnjë justifikim për këtë shtyrje. Kosova nuk ka as kohë e as energji me humb me lojëra e pazare politike. Ajo që mund të ju them është që Aleanca do të ndihmojë në konstituimin e institucioneve të Kosovës, por nga ana tjetër ne kemi një qëndrim publik politik”, u shpreh Tahiri./ EO

Gërvalla para seancës konstituive: Sot synojmë të dalim nga situata që nuk u pëlqen votuesve

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se është optimiste se legjislatura e re do të jetë “legjislaturë e zhvillimit të madh ekonomik, e reformës së thellë në fushën e drejtësisë, edhe e zhvillimeve të mira për vendin tonë”, raporton Ekonomia Online.

Para seancës konstituive të Kuvendit, ajo ka thënë se sot do të përpiqen të dalin nga një situatë që nuk i pëlqen askujt.

“Mirëmëngjesi të gjithëve në këtë ditë kaq të bukur për demokratinë e vendit tonë. Mbas zgjedhjeve të mira, zgjedhjeve demokratike, zgjedhjeve parlamentare, edhe sot do të shkojmë të zgjedhim, të konstituojmë Kuvendin edhe të përpiqemi të dalim nga një situatë e cila nuk i pëlqen askujt, aq më së paku votuesve, qytetarëve të Republikës së Kosovës. Jam plot optimizëm që kjo legjislaturë do të jetë legjislaturë e zhvillimit të madh ekonomik, e reformës së thellë në fushën e drejtësisë, edhe e zhvillimeve të mira për vendin tonë, për qytetarët e vendit tonë, por edhe për të gjithë ne në përgjithësi”, ka thënë ministria në detyrë e Drejtësisë.

Balje: S’kam arsye të ndërroj qëndrim nga hera e fundit

Deputetja e zgjedhur nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, e ka bërë të qartë se sërish do të votojë kundër formimit të institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo ka thënë se mes saj dhe VV-së nuk ka pasur ndonjë takim, prandaj edhe s’ka arsye të ndërrojë qëndrim.

Sa i përket presidentit, Balje ka thënë se ende asnjë parti nuk ka kërkuar bisedime me të.

“Takim nuk kam pas. Nuk ka pasur takim mes partisë time dhe Vetëvendosjes. S’kam arsye të ndërroj qëndrim nga hera e fundit. Mes meje dhe Vetëvendosjes thjesht nuk ka besim. Për presidentin nuk kemi fol me asnjë parti”, u shpreh ajo.

Hamza: Qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë, s’e kemi prioritet ndarjen e posteve

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, para fillimit të seancës konstituive ka deklaruar se nuk ka arsye që seanca e sotme të mos ketë mbarëvajtje.

“Atëherë nëse flasim për seancën sot, sot është seanca e konstituimit të kuvendit, ku pritet të zgjedhet kryetari apo kryetarja e kuvendit, nënkryetarët, të jepet betimi dhe kjo është rëndësia e ditës, për seancën e sotme, unë nuk shoh arsye që seanca mos të ketë mbarëvajtje, mos të konstituohet, të gjitha kushtet janë që seanca të konstituohet dhe ne të procedojmë tutje dhe normalisht partia me numrin më të madh të ulëseve, të kryejnë detyrat e veta, përgjegjësitë e veta, të japë vendet në institucione”, ka thënë ai.

Ai ritheksoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se prioritet janë programi dhe politikat, e jo ndarja e posteve.

“Jo, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është konsistent, do të thotë ne kemi shkuar në takim, nuk kemi pasur, nuk kemi garuar ne kush të bëhet, kush në cilën pozitë të bëhet. Kemi garuar edhe kemi kërkuar votat e qytetarëve të Kosovës me një program çka për ekonominë, çka për drejtësinë, çka për energjinë, çka për infrastrukturën, çka për anëtarësimet, këto kanë qenë temat”, ka thënë Hamza.

I pyetur nëse ka pasur bisedime për pozita institucionale, Hamza u përgjigj shkurt: “Nuk kemi diskutuar fare.”

Abdixhiku: Kemi afrime me VV-në, por ende dallime në çështjen kryesore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve po vazhdojnë, duke theksuar se ekzistojnë afrime në disa tema, por ende jo në çështjen kryesore që është presidenti.

Ai ka thënë se qëllimi është shmangia e zgjedhjeve të reja, të cilat i cilësoi si të dëmshme për vendin.

“Po përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja. Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, takimet mes palëve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Do të jem në takime të vazhdueshme. Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye të mos konstituohet. Meqë po takohemi, është shenjë e mirë”, u shpreh Abdixhiku.

Akterë të LDK-së kanë shprehur qëndrimet e partisë për ta pasur pozitën e presidentit.

Haziri: Takimet do të vazhdojnë 24/7 për një marrëveshje me LVV-në

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, para se të nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ka folur për negociatat që ky subjekt politik po i zhvillon me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje qeverisëse.

Ndonëse tri takime kanë përfunduar pa marrëveshje, Haziri ka deklaruar se takimet do të vazhdojnë në çdo kohë dhe do të punohet 24/7 për të arritur një gjë të tillë.

“Duhet të normalizohet jeta në Kosovë, të punohet në mënyrë më agresive, në një agjendë më zhvillimore dhe që Kosovës i jep mundësi. Takimet janë të hapura, do të vazhdojnë në çdo kohë. Nuk ka orar determinues dhe 24/7 do të punohet për të arritur këtë qëllim. Krejt në fund është vullnet politik”, ka thënë Haziri.

Rexhepi jep sinjale se sot do të votohet vetëm konstituimi i Kuvendit
Deputetja e zgjedhur dhe kryetarja e partisë Nova Demokratska Stranka, Emilja Rexhepi, para nisjes së seancës konstituive ka bërë të ditur se sot pritet të votohet vetëm konstituimi i Kuvendit.

“Kemi obligim me votu Parlamentin, dhe me çel rrugën për me formu qeverinë. Sot e votojmë Parlamentin. Nuk e di për të tjera”, ka thënë ajo.