Shkruan: Fejzi HAJDARI
Ka dokumente që me kalimin e kohës bëhen gjithnjë e më të vlefshëm, duke marrë dimension hiperbolik në histori. Ka edhe dokumente të tilla që sa më shumë kalon koha, aq më shumë zbehen, e tkurren, përballë realitetit.
Nëse e shikojmë dhe analizojmë realisht, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, fatkeqësisht, ajo i takon konstatimit të dytë.
Në vitin 2001, ky Dokument politik u paraqitë si ‘kompromisi historik’ që do ta ndryshonte rrënjësisht pozitën juridike, politike dhe kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni. Ndër të tjera u tha se shqiptarët më në fund do të fitonin barazi, se diskriminimi institucional do të merrte fund dhe se shteti do të ndërtohej mbi një filozofi të re politike.
Madje, implementimi i saj, ishte paraparë të përfundonte deri në vitin 2004. Sot është viti 2026, që domethënë se kanë kaluar afro 25 vjet. Dhe shqiptarët ende debatojnë nëse gjuha shqipe është apo nuk është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit.
Nëse pas një çerek shekulli vazhdon kjo dilemë, atëherë pyetja nuk është më nëse Marrëveshja u implementua. Pyetja do të duhej të ishte: çfarë u implementua realisht ose më direkt: çfarë bëri, apo po bënë faktori politik shqiptarë për ta avansuar statusin kushtetues të shqiptarëve, në një rrafshë me atë të maqedonasve? Fatkeqësisht, përgjigja është negative: asgjë!
Ironia më e madhe është se çdo vit politikanët shqiptarë organizojnë akademi, konferenca, simpoziume, tribuna e deklarata, për “fitoret” e Marrëveshjes së Ohrit, ndërkohë që vetë përvjetori është bërë dëshmia më e madhe e dështimit të saj, sepse, marrëveshjet, nuk maten me numrin e fjalimeve.
Maten me rezultatet.
E rezultati është brutal.
Pas 25 vjetësh, shqiptarët ende nuk kanë një status kushtetues të qartë si popull shtetformues, përkundrazi me përbuzje ekstremisht të madhe, ata janë kategori statistikore në kushtetutë si “popull 20%” me gjuhë poashtu “20 %”, ndërkaq sa për ilustrim: 3% e sërbëve në kushtetutën e Kosovës, figurojnë si “ popull serb” dhe me gjuhë zyrtare serbe në të gjithë terriotorin e Republikës së Kosovës. Ky krahasim e zhvesh faktorin politik shqiptarë nga fuqia në vendimmarrje, në fakt është dëshmia më e madhe e dështimit spektakolar të faktorit politikë shqiptar, tani 25 vite me radhë.
Pra, ende identifikohen në Kushtetutë me formulime që burojnë nga përqindja, e jo nga parimi i barazisë politike.
Ende diskutohet për përdorimin e gjuhës shqipe.
Ende flitet për përfaqësim të drejtë.
Ende debatohet për frymën e Dokumentit të Ohrit.
Ende flitet për ndarjen e buxhetit shtetëror në mënyrë proporcionale…
Pra, të gjitha këto kërkesa të shqiptarëve sot, qëndrojnë të hapura që nga viti 1991, prandaj që atëherë ishin pjesë e platformave të partive politike shqiptare, por, fatkeqësisht, vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura edhe sot… Turp, turp, turp…sesa të pafuqishme janë partitë shqiptare në qeveri!
Çfarë do të thotë kjo?
Do të thotë se Marrëveshja nuk e zgjidhi problemin e shqiptarëve. Ajo vetëm e menaxhoi atë.
Për vite të tëra, elita politike shqiptare ndërtoi një mit.
Mitin se gjithçka ishte fituar e zgjidhur.
Mitin se shqiptarët kishin hyrë në një epokë të re.
Mitin se barazia mes shqipgtarëve dhe maqedonasve ishte arritur.
Por, propaganda ka një problem.
Ajo nuk mund të mbijetojë pafundësisht përballë realitetit, sepse realiteti nuk pyet për konferenca shtypi, për zijafete partiake, për pasuri të krijuara milionëshe brenda një mandati.
Realiteti nuk pyet për pankarta e billborde festive.
Realiteti nuk pyet për dekorata e as për tituj shkencor brenda 24 orëve.
Realiteti nuk pyet për foto-selfie me Albin Kurtin apo Edi Ramën…
Ai në rastin konkret pyet vetëm këtë:
Nëse gjithçka është zgjidhur me Marrëveshjen e Ohrit, sic thonë partitë shqiptare, atëherë pse vazhdojmë të diskutojmë për të njëjtat tema edhe pas 25 vjetësh?
Edhe më paradoksale është gara që vazhdon edhe sot.
Nuk është garë për ta përfunduar Marrëveshjen.
Është garë se kush e “ka realizuar” më shumë.
Një garë absurde.
Një garë politike për një objektiv që vetë faktet tregojnë se nuk është arritur.
Është njësoj sikur disa arkitektë të debatojnë se kush e ndërtoi më mirë një shtëpi, që edhe sot nuk ka çati.
Në vitet 2018–2019 ndodhi edhe një fenomen interesant.
Papritur, një pjesë e klasës politike shqiptare filloi të fliste për Agjendën e Gjelbër, tranzicionin klimatik dhe politika të tjera moderne. Askush nuk e kontestoi rëndësinë e tyre. Por, pyetja është tjetër.
Si mund të kalosh te ‘Agjenda e Gjelbër’, kur ‘Agjenda Kombëtare s’ka përfunduar’?
Si mund të flasësh për neutralitet klimatik kur ende nuk ekziston neutralitet kushtetues?
Si mund të mbjellësh pemë politike, mbi një tokë ku ende nuk janë konsoliduar themelet e barazisë juridike?
Në vend që Agjenda e Gjelbër të ishte një shtesë e zhvillimit demokratik, ajo u përdor, në disa raste, si një mënyrë elegante për të shmangur temat që nuk ishin zgjidhur kurrë.
Sikur problemet kombëtare të ishin tejkaluar. Por ato nuk ishin tejkaluar.
Vetëm nuk flitej më për to…
Prandaj sot vërehet një heshtje e çuditshme.
Sa më shumë afrohet përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit, aq më pak entuziazëm shfaq faktori politik shqiptar, që vazhdimisht prej pozitës, në qeveri ose opozitë, e shpallin si “fitoren më të madhe të shqiptarëve”.
E dini se pse me shumë entuziazëm e pompozitet, sot Marrëveshjen e Ohrit s’mund ta shpallin si ‘Fitore të Madhe”, cilado parti shqiptare?
Sepse, është e vështirë ta shesësh si fitore, një proces që nuk ka përfunduar.
Është e vështirë të festosh një marrëveshje, kur qytetarët ende pyesin nëse gjuha shqipe është plotësisht zyrtare!
Është e vështirë të flasësh për barazi, kur vetë Kushtetuta vazhdon të prodhojë ndjenjë pabarazie.
Duhet pranuar një e vërtetë.
-Marrëveshja e Ohrit e ndali luftën.
Ky është kontributi i saj historik.
Askush serioz nuk e mohon këtë.
Por ndalimi i luftës nuk është i njëjtë me zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Politikanët shqiptarë, për vite me radhë, i ngatërruan qëllimisht këto dy koncepte.
E para, ishte sukses.
E dyta, mbeti premtim.
Historia është e pamëshirshme.
Ajo nuk i gjykon marrëveshjet sipas fotografive të nënshkrimit.
As sipas duartrokitjeve.
As sipas konferencave për shtyp.
Historia i gjykon sipas asaj që mbetet pas.
Dhe pas afro një çerek shekulli, fotografia është e qartë.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit arriti ta ndalojë konfliktin e vitit 2001.
Por nuk arriti ta përmbyllë konfliktin politik dhe kushtetues mbi statusin e shqiptarëve.
Kjo është arsyeja pse çdo përvjetor i saj festohet gjithnjë e më pak.
Jo sepse shqiptarët kanë harruar historinë.
Por sepse historia ende nuk ka përfunduar.
Sepse një marrëveshje që ishte paraparë të zbatohej deri në vitin 2004 nuk mund të kërkojë kredi politike edhe në vitin 2026.
Nëse pas 25 vjetësh ende diskutojmë për të njëjtat të drejta, atëherë problemi nuk është më te interpretimi i Marrëveshjes.
Problemi është se dikush për 25 vjet e ka shitur si fitore atë që, në thelb, mbeti një premtim i papërmbushur.



