Derisa qytetarët e Gostivarit për javë të tëra pinin ujë të ndotur dhe mijëra persona përballeshin me pasoja shëndetësore, Qeveria e Hristijan Mickoskit, përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ka lidhur marrëveshje për furnizim me ujë të pijshëm në vlerë prej 100 mijë eurosh, akuzojnë nga LSDM-ja.
Sipas partisë, për shkak të krizës, marrëveshja është lidhur me negocim të drejtpërdrejtë dhe pa shpallje publike.
“Bëhet fjalë për një marrëveshje biznesi prej 100 mijë eurosh pa tender”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Sipas informacioneve të publikuara nga partia, marrëveshja është lidhur me kompaninë “Kozhuvçanka”, e cila është në pronësi të kryetarit të Komunës së Kavadarit, ndërsa procedura është realizuar nga drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski.
“Ky është kujdesi i madh i patriotëve të tenderëve, Mickoskit dhe VMRO-OKG-së: një marrëveshje biznesi prej 100 mijë eurosh pa tender. Kështu e kanë menduar edhe Ligjin kriminal për ‘Shkupi 2028’ – pa tenderë dhe vetëm me kompanitë e tyre”, akuzojnë nga LSDM-ja.
Nga partia opozitare pretendojnë se, për shkak të mënyrës së qeverisjes së pushtetit aktual, qytetarët po përballen me rrezik për shëndetin, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi.

“Qytetarët helmohen dhe përfundojnë në spitale, ndërsa institucionet heshtin dhe reagojnë me vonesë. Asgjë nuk funksionon, përveç marrëveshjeve të biznesit të patriotëve të tenderëve. Edhe në momentet kur populli po helmohet, ata vazhdojnë të bëjnë biznes dhe të përfitojnë në kurriz të qytetarëve dhe të shëndetit të tyre”, thuhet në kumtesën e LSDM-së. përcjell Zhurnal.mk .



