Kosova i kërkon BE-së ta detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjen për të zhdukurit

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka njoftuar se i ka kërkuar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, të sigurojë që Serbia t’i zbatojë angazhimet e marra në Deklaratën për Personat e Zhdukur.

Reagimi i Bajramit vjen pas zbulimit të dy varrezave masive në veri të Kosovës gjatë javës së fundit, ndërsa autoritetet kosovare vazhdojnë të kërkojnë bashkëpunim nga Serbia për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Në një postim në platformën X, Bajrami tha se ia ka përcjellë zyrtarisht Sorensenit shqetësimet e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit.

“I kam kërkuar BE-së që të sigurojë që Serbia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasjen e pakufizuar në arkiva dhe mbrojtjen e atyre që paraqiten me informacion. Familjet kanë pritur shumë gjatë për të vërtetën”, shkroi Bajrami.

Sipas autoriteteve të Kosovës, një nga pengesat kryesore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur mbetet moshapja e arkivave të brigadave të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat konsiderohen se përmbajnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varrezave masive.

Në vitin 2023, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur, e cila parashikon qasje të plotë në informacione dhe dokumente që mund të ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë luftës. Megjithatë, sipas Prishtinës, këto zotime ende nuk janë zbatuar nga pala serbe.