Policia ka identifikuar personat e dyshuar të përfshirë në ngjarjen e dhunshme në Gostivar, pasi, menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ndërmori masa dhe veprime për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas Policisë, më 2 gusht 2026, rreth orës 22:20, në SPB Gostivar, 22-vjeçari A.V. nga Gostivari ka denoncuar se po atë ditë, rreth orës 02:30, në rrugën “Borçe Jovanoski”, ai dhe shoku i tij L.E. janë sulmuar fizikisht nga tre persona, të cilët gjatë sulmit kanë përdorur mjete të forta dhe shkopinj druri.
Rasti është raportuar menjëherë te prokurori publik kujdestar, ndërsa në koordinim me prokurorin kompetent, policia ka arritur t’i identifikojë tre personat e dyshuar.
Në stacionin policor janë thirrur për bisedë zyrtare dy të mitur nga Gostivari, të cilëve, me urdhër të prokurorit publik, u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit. Personi i tretë i dyshuar është V.D. (20) nga Shkupi, për të cilin është dërguar kërkesë në SPB Shkup për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme.
Policia njofton se, pas dokumentimit të plotë të rastit, të dyshuarit do të nxirren para gjykatësit të procedurës paraprake me procedurë të përshpejtuar dhe me parashtresën përkatëse.



