Reagim i ashpër i Haqim Ramadanit: Dezinformatë e ulët, kam pasur vetëm çështje familjare në spital

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, ka reaguar ashpër përmes një njoftimi publik ndaj lajmit të publikuar nga portali “Tetova.

Ramadani i ka mohuar kategorikisht pretendimet për gjoja arrestim, shoqërim në polici apo ndonjë incident me stafin mjekësor në Spitalin Klinik të Tetovës, duke i cilësuar ato si shpifje të pastra dhe dezinformata dashakeqe me qëllim dëmtimin e reputacionit të tij.

Në vijim është postimi i plotë i Haqim Ramadanit:

E mohoj kategorikisht lajmin e publikuar nga portali TetovaSot dhe pronari i tij, Rami Mislimi, se kinse jam arrestuar apo shoqëruar nga policia. Bëhet fjalë për një dezinformatë tërësisht të pavërtetë, tendencioze dhe dashakeqe, me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe dëmtimin e reputacionit tim.

Është e vërtetë që kam qenë në Spitalin Klinik të Tetovës për shkak të gjendjes shëndetësore të një familjari të afërt. Megjithatë, i hedh poshtë kategorikisht pretendimet se kam pasur zënkë verbale apo çfarëdo incidenti me stafin mjekësor, siç pretendohet në publikimin e portalit në fjalë.
Është e papranueshme që pa asnjë verifikim të fakteve të publikohen akuza të pavërteta, duke cenuar dinjitetin tim. Gazetaria nënkupton përgjegjësi, profesionalizëm dhe respektim të së vërtetës, e jo përhapje të lajmeve të rreme.

I bëj thirrje portalit TetovaSot dhe pronarit të tij, Rami Mislimi, që ta tërheqin menjëherë këtë lajm të pavërtetë dhe t’u kërkojnë falje publike lexuesve dhe opinionit për dezinformimin e shpërndarë. Njëkohësisht, njoftoj se rasti tashmë është paraqitur në organet kompetente, të cilat pres të veprojnë në përputhje me ligjin.(INA)