Debati mbi hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër ka shkaktuar reagime të ashpra në politikë. Në një analizë të gjatë, zyrtari i lartë i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, e cilëson nismën si shprehje të “pabesisë dhe amnezisë historike” të qeverisë shqiptare.
Sipas Boçit, Shkodra ruan në kujtesën e saj kolektive rrethimin serbo-malazez. Duke kundërshtuar mënyrën se si kryeministri Edi Rama po e trajton këtë vendim, ai sjell si metaforë figurën historike të Esat Pashë Toptanit.
Boçi argumenton se diplomacia e mirëfilltë duhet të mbështetet te e vërteta dhe te pranimi i përgjegjësive, jo te fshirja e së kaluarës, veçanërisht për sa kohë Serbia nuk ka kërkuar ende falje për krimet e kryera në Kosovë.
Reagimi i plotë:
“Shkodra nuk pret nga Tirana që t’i tregojë historinë, sepse atë e ka shkruar vetë. Pikërisht për këtë, çdo vendimmarrje që prek domethënien simbolike të qytetit duhet vlerësuar me një përgjegjësi shumë më të madhe sesa ajo që dikton përllogaritja e zakonshme diplomatike.
Qeveria e ka paraqitur hapjen e konsullatës serbe në Shkodër si një veprim normal diplomatik, madje edhe si një zhvillim me përfitime, duke e lidhur me hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc. Në aspektin formal, ndoshta mund të konsiderohet i tillë. Marrëdhëniet diplomatike janë element i rendit ndërkombëtar dhe askush nuk është kundër dialogut ndërmjet shteteve.
Megjithatë, nuk duhet harruar se diplomacia nuk përbëhet vetëm nga dokumentet. Ajo lidhet po aq edhe me simbolet, ndërsa në Ballkan dihet se pesha e tyre është më e madhe se ajo e betonit të përdorur për ngritjen e godinave.
Shkodra nuk është një qytet i zakonshëm. Ajo i bëri qëndresë rrethimit serbo-malazez dhe është vendi ku e kaluara nuk mbetet thjesht një kapitull në libra, por përbën pjesë të identitetit të banorëve të saj dhe të mbarë Shqipërisë. Në këtë qytet, emrat e mbrojtësve të tij përmenden me respekt, përulje dhe nderim. Për këtë arsye, dyshimet me të cilat shumë qytetarë, intelektualë dhe politikanë e presin këtë vendim nuk janë të habitshme.
Ajo që habit më tepër është përpjekja e qeverisë për ta imponuar pranimin e këtij hapi si diçka normale, thuajse historia të ishte një prej aplikacioneve të shumta të epokës digjitale, që mund të hiqet me një klikim.
Historia nuk mund të kthehet aq më pak në një kujtesë të përzgjedhur, prej së cilës të fshihen rrethimi i Shkodrës, luftërat ballkanike, Kosova dhe çdo fakt tjetër që prish estetikën e diplomacisë së sotme të Ramës dhe Vuçiçit.
E kaluara është pjesë e kujtesës së përbashkët dhe pikërisht këtu nis të shfaqet në sfond hija e Esat Pashë Toptanit. Kjo nuk do të thotë se rrethanat historike janë të njëjta, sepse nuk janë. Por sa herë që interesi politik i çastit vihet mbi ndjeshmërinë kombëtare, emri i tij rishfaqet natyrshëm si metaforë.
Qëllimi nuk është që e tashmja të gjykohet përmes kategorive të së kaluarës. Synimi është të mbahet mend se disa gabime historike nisin gjithmonë duke u shitur si ‘veprime pragmatike’ ose normale dhe, në rastin më të keq, si vendime ‘të mençura’ e me përfitim. Pikërisht këtë po përpiqet të bëjë diplomacia me bekimin e Esatit-Ramë.
Paradoksi thellohet edhe më shumë kur kujtojmë se Serbia vazhdon të mos ketë kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë. Ajo vijon të mos pranojë shumë të vërteta historike, të mbrojë narrativa që i rivrasin viktimat dhe të mbajë të pazbardhur fatin e njerëzve të zhdukur, pa drejtësi dhe pa përgjegjësi.
Por, me sa duket, çështja këtu nuk është kujtesa e Serbisë. Problemi qëndron te amnezia e qeverisë shqiptare dhe, më konkretisht, te pabesia dhe tradhtia e saj.
Nën parullën e ‘fqinjësisë së mirë’, Shkodrës dhe të gjithë neve po na kërkohet të sillemi sikur historia të ishte një pengesë burokratike, sikur plagët të shëroheshin me ceremoni prerjeje shiritash dhe respekti të krijohej përmes harresës.
Diplomacia e vërtetë nuk e kërkon fshirjen e kujtesës, Zoti Esat-Ramë. Përkundrazi, themeli i saj është e vërteta. Gjermania nuk arriti pajtimin me Francën duke mohuar të kaluarën dhe Europa nuk e ndërtoi paqen duke zhdukur kujtesën. Pajtimi nis nga pranimi i përgjegjësive dhe jo nga imponimi i një normaliteti artificial.
Për këtë arsye, kundërshtimi i këtij simboli nuk drejtohet kundër marrëdhënieve diplomatike. Ai synon një model qeverisjeje që i konsideron qytetarët spektatorë pa kujtesë historike dhe e trajton Shqipërinë si tokë të askujt.
Hijet që vijnë nga historia, në të vërtetë, nuk frikësojnë askënd. Ato shndërrohen në rrezik vetëm kur pushteti vepron sikur të mos ekzistonin. Ndaj duhet të eliminohen patjetër sa herë që dikush tradhton vendin duke pretenduar se po e shpëton.”



