E turpshme/ I hapën derën Beogradit në Shkodër – Ferit Hoxha ua shet shqiptarëve skandalin si fitore reciprociproke

Konsullata serbe në Shkodër, një vendim që ngre pikëpyetje të rënda për interesin kombëtar

Ferit Hoxha doli në mbrojtje të një vendimi që shumëkush në opinionin publik e ka cilësuar si një nga lëvizjet më të diskutueshme diplomatike të qeverisë Rama: hapjen e një konsullate serbe në Shkodër.

Por ministri i Jashtëm në vend të kërkonte falje për këtë turp, ka mbrojtur me pathos vendimin.

Në një intervistë për TCH ai nxori në pah hendekun mes gjuhës teknike të diplomacisë dhe shqetësimit politik që ka lindur në shoqëri.

Hoxha thotë se konsullata nuk cenon sovranitetin e Shqipërisë. Një argument juridik që në fakt nuk është thelbi i kundërshtimit. Askush nuk pretendon se një konsullatë ndryshon kufijtë apo merr kontroll mbi territorin.

Problemi është tjetër: çfarë mesazhi politik po i jep Shqipëria Beogradit dhe çfarë po merr në këmbim?

Qeveria Rama kërkon ta shesë këtë marrëveshje si një hap diplomatik të zgjuar, duke e lidhur me hapjen e një përfaqësie shqiptare në Bujanoc. Por pyetja më legjitime është: a mund të quhet sukses kombëtar një marrëveshje ku Serbia fiton një prani simbolike në një qytet me peshë historike si Shkodra, ndërsa Shqipëria merr një premtim diplomatik për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët jetojnë prej shekujsh në tokën e tyre?

Serbia nuk është një shtet neutral në çështjet shqiptare. Ajo ende nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbajë një kurs politik agresiv e armiqësor ndaj Prishtinës.

Në këtë realitet, çdo hap diplomatik me Beogradin kërkon jo vetëm reciprocitet formal, por edhe garanci konkrete dhe rezultate të matshme.

Por nga deklaratat e ministrit Hoxha, duket se qeveria është e kënaqur me vetë ekzistencën e marrëveshjes.

“Reciprociteti” është fjala kyçe me të cilën mazhoranca po përpiqet të mbrojë vendimin.

Ferit Hoxha harron se diplomacia nuk është tregti mekanike: një zyrë në Shkodër nuk është automatikisht e barabartë me mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Në vend që të shpjegojë se çfarë fitojnë konkretisht shqiptarët, qeveria ka zgjedhur të sulmojë kundërshtarët duke i akuzuar se nuk kuptojnë diplomacinë.

Por pyetjet mbeten:

Pse pikërisht Shkodra?

Pse tani?

Çfarë garancish mori Shqipëria nga Serbia për shqiptarët jashtë kufijve?

Dhe mbi të gjitha: a ishte kjo zgjedhja më e mirë për interesin kombëtar?

Edi Rama dhe ministri i tij i Jashtëm mund të këmbëngulin se ky është një hap pragmatik. Por për një pjesë të madhe të opinionit publik, pragmatizmi nuk mund të nënkuptojë mbylljen e syve ndaj realiteteve politike në rajon.

Sepse diplomacia nuk matet vetëm me numrin e konsullatave të hapura.

Matet me atë se kush fiton më shumë peshë, kush merr më shumë hapësirë dhe kush arrin objektivat e veta.

Dhe sot pyetja që mbetet pezull është kjo: a po e përdor Shqipëria diplomacinë për të mbrojtur interesat e saj, apo po pranon një marrëveshje ku përfitimi politik i Beogradit është më i dukshëm se përfitimi shqiptar?

Duke marrë parasysh vëllazërinë mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç, përgjigjja e kësaj pyetje është e nënkuptuar.
© SYRI.net