Kanë kaluar më shumë se 15 orë që kur qindra bashkatdhetarë kanë mbetur të bllokuar në kolonat disa kilometra të gjata në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi.
Sipas informacioneve të siguruara nga IndeksOnline, problemet teknike në procesin e verifikimit gjatë kontrollit kufitar po shkaktojnë vonesa të mëdha dhe po ngadalësojnë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.
Mërgimtarët, të cilët janë nisur drejt Kosovës për pushime, thonë se po përballen me kushte të vështira, pasi shumë prej tyre kanë kaluar rreth 18 orë në kolonë.
“Prej më shumë se 18 orësh jemi duke pritur. Ndodhemi në mes të malit dhe kemi mbetur pa ujë e pa ushqim, pasi në këtë zonë nuk ka markete ku mund të furnizohemi”, ka deklaruar për IndeksOnline një mërgimtar, i cili ka dashur të mbetet anonim.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj situate dhe lehtësimin e qarkullimit në kufi.



