Mali Sharr mes potencialit dhe realitetit, rritet interesimi por problemet mbeten

Mali Sharr është një nga pasuritë më të mëdha natyrore të vendit, me peizazhe mahnitëse, biodiversitet të pasur dhe potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Megjithatë, sa po promovohet ky potencial, me çfarë sfidash vazhdon të përballet dhe a po bëhet mjaftueshëm për ta kthyer në një destinacion të njohur për vizitorët vendas dhe të huaj? Përgjigjet i kërkuam nga ata që çdo ditë e promovojnë malin, organizojnë aktivitete në të dhe nga institucioni përgjegjës për menaxhimin e tij, shkruan Portalb.mk.

Pesë vite pas shpalljes Park Kombëtar, Mali Sharr vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë qytetarë, alpinistë dhe turistë, ndërsa potenciali i tij për turizëm të qëndrueshëm mbetet larg shfrytëzimit të plotë.

Shtigje që nuk janë të sinjalizuara ose mirëmbajtura mjaftueshëm, mungesë e hartave dhe informacionit të standardizuar, qasje e vështirë në disa lokacione, menaxhim jo i mirë i mbeturinave dhe mungesa e një sistemi të organizuar të sigurisë në mal janë disa prej sfidave që i evidentojnë ata që janë vazhdimisht në terren.

Sharri nuk mund të zhvillohet vetëm përmes aktiviteteve individuale

Sadik Abdirahimi nga shoqata Peaktrip e cila organizon ngjitje në mal, thekson se viteve të fundit ka rritje të interesimit për ngjitje dhe aktivitete në natyrë në Malin Sharr.

Foto: Sadik Abdirahimi (foto nga arkivi i tij privat)
Foto: Sadik Abdirahimi (foto nga arkivi i tij privat)

“Një prej problemeve kryesore është mungesa e një sistemi të mirëfilltë të sinjalizimit dhe mirëmbajtjes së shtigjeve. Në shumë raste, shtigjet ekzistojnë dhe kanë potencial të jashtëzakonshëm, por mungojnë shenjat orientuese, informacioni i standardizuar, hartat dhe mirëmbajtja e vazhdueshme. Problem tjetër është infrastruktura bazë në destinacionet malore, qasja në disa pika, menaxhimi i mbeturinave dhe, mbi të gjitha, një sistem më i organizuar i sigurisë dhe menaxhimit të rrezikut në mal”, thotë Abdirahimi .

Ai thekson si problem tjetër edhe mungesën e koordinimit ndërmjet institucioneve, komuniteteve lokale, operatorëve turistikë dhe organizatave që punojnë në terren.

“Sharri nuk mund të zhvillohet vetëm përmes aktiviteteve individuale; nevojitet një qasje e përbashkët dhe afatgjatë”, thotë ai.

Potenciali turistik i Malit Sharr, Abdirahimi thekson se është shumë më i madh se ajo që ofrohet momentalisht, si për vizitorët vendas ashtu edhe për turistët ndërkombëtarë.

“Mali Sharr ende nuk po e merr trajtimin që meriton, sidomos duke pasur parasysh potencialin që ka për turizmin malor në nivel rajonal. Ajo që duhet bërë më shumë është krijimi i një strategjie konkrete për zhvillimin e turizmit malor, standardizimi si dhe promovimi i Sharr-it në tregjet ndërkombëtare. Po aq e rëndësishme është përfshirja e komuniteteve të fshatrave malore. Turizmi duhet të sjellë përfitime edhe për banorët lokalë”, tha ai.

Stanet e Shipkovicës, turizmi që po promovohet nga vetë banorët

Disa nga problemet e lartpërmendura i theksoi edhe Blerina Demiri, e cila së fundmi është bërë ‘ambasadore’ e promovimit të Malit Sharr, konkretisht Staneve të Shipkovicës.

Ajo tregon se promovimi i Staneve të Shipkovicës nisi si dëshirë personale, pa ndonjë plan të veçantë për të krijuar përmbajtje turistike. Por disa video të shkurtra në rrjetet sociale sollën interes shumë më të madh nga sa kishte pritur.

“Thjeshtë e kam provuar me disa video të shkurta dhe e kam parë se interesi i njerëzve për të parë malin, natyrën, gatimet në natyrë ka qenë shumë i madh. Videot kanë ecur shumë dhe interesi i njerëzve jo vetëm për të ardhur për ta vizituar malin ose Stanet e Shipkovicës por interesi për të ardhur për të ndenjur me ne, për të kaluar kohë te stani është shumë i madh”, thotë Demiri.

Blerina Demiri dhe Stanet e Shipkovicës. Foto: Portalb.mk
Blerina Demiri dhe Stanet e Shipkovicës. Foto: Portalb.mk

Pavarësisht interesimit të madh, sfidë në vete mbetet infrastruktura dhe sinjalistika rrugore që të çon deri në këtë pikë. Siç tregon Blerina, kjo më shumë i prekë vizitorët e huaj, të cilët e kanë vështirë t’i orientojnë.

Megjithatë ajo tregon se në këtë drejtim së fundmi ka lëvizje pozitive, qoftë nga popullata vendase qoftë nga Institucioni Parku Nacional ‘Mali Sharr’.

“Terreni është i jashtëzakonshëm për tu lënë në harresë edhe për tu mos organizuar gjëra që mund ta zhvillojnë agroturizmin sepse unë besoj që e ardhmja e bizneseve do jetë agroturizmi brenda 5 ose 10 viteve”, tha Demiri.

Pesë vite park kombëtar, çfarë u arrit dhe çfarë mbeti pa zgjidhur?

Pesë vitet e fundit kanë qenë një udhëtim i vërtetë transformimi për Malin Sharr. Nga një hapësirë natyrore e njohur kryesisht nga banorët e zonave përreth dhe nga një rreth i ngushtë alpinistësh e natyradashësish, parku ka filluar të marrë formën e një destinacioni me identitet të qartë turistik.

Kështu e përshkruajnë nga Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’ shkurtimisht këtë rrugëtim pesë vjeçar që nga shpallja e parkut kombëtar.

Ndër të arriturat ata përmendin digjitalizimin e ofertës turistike, ndërsa platforma pritet të jetë e qasshme online prej në tetor 2026. Ata përmendin edhe sinjalizimin dhe krijimin e pikave informative si dhe bashkëpunimin me palët homologe nga Kosova dhe Shqipëria si dhe projekte dhe strategji të ndryshme.

Nga Parku Kombëtar Mali Sharr thonë se pesë vitet e fundit kanë sjellë rritje të vazhdueshme të interesimit për këtë zonë, si nga vizitorët vendas, ashtu edhe nga të huajt.

Megjithatë, nuk ekzistojnë statistika të sakta për numrin e vizitorëve për secilin vit nga 2021 deri në 2026, pasi parku ka shumë hyrje dhe regjistrimi i vizitorëve dhe marrja e lejes është i detyrueshëm vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht.

Mali Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mali Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kjo e bën të pamundur që institucioni të japë një numër të saktë dhe të ndajë vizitorët në vendas dhe të huaj. Nga terreni, megjithatë, raportojnë rritje të numrit të vizitorëve, veçanërisht në lokacionet më atraktive dhe në mesin e turistëve të huaj.

Sfida më e madhe sipas Parkut Kombëtar mbetet gjetja e ekuilibrit të drejtë mes zhvillimit turistik dhe ruajtjes së integritetit ekologjik të parkut.

“Sfidë ë tjetër e vazhdueshme është infrastruktura, rrugët e qasjes, kapacitetet akomoduese dhe shërbimet përcjellëse ende nuk kanë arritur nivelin që i përgjigjet potencialit real të parkut. Kjo kërkon investime afatgjata dhe një vizion të qëndrueshëm, jo vetëm projekte të izoluara”, thanë nga Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’.

Cilat janë vendet më të vizituara dhe çfarë nuk duhet të humbisni pa parë?

Zonat më të preferuara mbeten ato me vlerë të veçantë natyrore dhe panoramike, majat kryesore, liqenet alpine dhe shtigjet që ofrojnë pamje mbresëlënëse mbi të gjithë masivin e Sharrit.

Leshnica është një nga zonat më të vizituara, Gjoli pa Fund, Liqeni I Bogovinës, Ujëvarat e Kamjanit, Tre Ujërat, Ujëvara e Krivoshisë e shumë e shumë lokacione tjera.

Ndërkaq nga Peaktrip të pyetur nga Portalb se cilat do ishin pesë pikat që do ishin ‘të patjetërsueshme’ të vizitohen në Sharr, theksojnë: Majen e Lubotenit, Liqenin e Bogovinës, Majen e Vërtopit/Korfit, Leshinica dhe zona e Bozofcës.

Kujtojmë se, pas disa dekadave pritje, më 30 Qershor 2021, Kuvendi i Мaqedonisë së Veriut e shpalli park kombëtar një pjesë të Malit Sharr. Parku mbulon një sipërfaqe prej 62,705 hektarë, brenda kufijve të parkut gjenden 27 fshatra me rreth 17,000 banorë, të ndara në shtatë komuna.