Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të një pajisjeje artizanale shpërthyese në një restorant në qendër të Moskës, sipas autoriteteve ruse të cituara nga mediat shtetërore.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 me kohën lokale në sheshin Kudrinskaya, pranë zonës qendrore të kryeqytetit rus.
Sipas Komitetit Kombëtar Antiterrorist të Rusisë (NAK), një grua tentoi të hynte në ambientet e restorantit, por u ndalua nga një roje sigurie. Më pas ajo aktivizoi një pajisje shpërthyese, duke shkaktuar vdekjen e rojës dhe të një klienti të restorantit. Edhe autorja e dyshuar mbeti e vdekur nga shpërthimi.
Dëshmitarë të cituar në platformën Telegram thanë se në restorant po zhvillohej një aktivitet privat dhe se pas shpërthimit panë persona që nxirreshin nga ambientet me plagë të rënda.
Raportimet e para sugjeruan se shpërthimi kishte ndodhur në kuzhinën e restorantit, por më pas administrata e lokalit publikoi një deklaratë ku tha se brenda gjithçka ishte në rregull dhe se “problemi ishte jashtë”.
Pas ngjarjes, rrugët përreth sheshit u mbyllën përkohësisht, ndërsa forcat e sigurisë rrethuan zonën.
Një aktivitet me biçikleta që ishte planifikuar pranë zonës së shpërthimit u anulua për arsye sigurie.
Pamjet e publikuara nga agjencia shtetërore ruse RIA Novosti treguan forca të armatosura të sigurisë në vendngjarje, ndërsa hetimet për motivin dhe rrethanat e sulmit vijojnë.



