Vizita e papritur e kryeministrit serb Gjuro Macut në Ohër ka shkaktuar reagime nga LSDM

Vizita e papritur e kryeministrit serb Gjuro Macut në Ohër ka shkaktuar reagime nga LSDM-ja, e cila pretendon se ai ka hyrë në vend pa paralajmërim dhe protokoll zyrtar, duke e lidhur këtë me rritjen e ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi takimin me homologun serb si konstruktiv, duke theksuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.
Gazetare: Ajnur Bafqari

Vizita e kryeministrit serb Gjuro Macut në Ohër, ka nxitur reagime të ashpra nga LSDM. Partia opozitare pretendon se Macut ka hyrë në vend pa paralajmërim dhe pa protokoll zyrtarë, duke e cilësuar këtë si tregues të ndikimit në rritje të Serbisë në Maqedoninë e Veriut. LSDM thotë se pas kësaj qëndron projekti i ashtuquajtur “bota serbe”, duke theksuar se ndikimi i presidentit Aleksandar Vuqiq është evidentuar edhe në raportet e KE-së.

“Në cilin vend sovran mund të vijë kryeministri i një vendi fqinj kur të dojë, pa paralajmërim, pa protokoll, sikur të ishte në shtëpi? Përgjigja është e qartë, kur shikon se kush qëndron pas gjithë kësaj. Partneri në biznes i Mickoskit, sot konsull nderi i Maqedonisë në Serbi, Dushan Adamoviq, një njeri me të kaluar kriminale, deklaron publikisht se Maqedonia është “territor serb i pushtuar. Për këtë arsye Macut mund të vijë pa paralajmërim, sepse ata Maqedoninë e konsiderojnë si territorin e tyre”, thanë nga LSDM.

-Në cilin vend sovran mund të vijë kryeministri i një vendi fqinj, pa paralajmërim, si në shtëpinë e tij?
-Kjo ndodh sepse ata Maqedoninë e konsiderojnë si ‘territorin e tyre’

Për takimin mes dy kryeministrave opinioni u njoftua përmes profilit në fejsbuk të kryeministrit Hristijan Mickoski. Ai publikoi fotografi duke njoftuar se me homologun serb, kishin realizuar një takim konstruktiv ku janë shkëmbyer mendime për sfidat aktuale rajonale dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh.

“ Konfirmuam përcaktimin tonë të përbashkët për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë, bashkëpunim të fqinjësisë së mirë dhe interes të përbashkët për një rajon të qëndrueshëm dhe prosperues”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër

-Konfirmuam përcaktimin tonë të përbashkët për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore
Përveç LSDM-së, reagime për mungesë njoftimi lidhur me këtë takim pati edhe në mediat online./Alsat.mk.