Kurti: Gërmimet në Zubin-Potok do të vazhdojnë me muaj pasi eshtrat janë të shpërndara

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se gërmimet në lokacionin ku dyshohet për varrezë masive në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut do të vazhdojnë edhe për shumë javë, e ndoshta edhe për muaj, pasi eshtrat e viktimave janë të shpërndara.

Kurti gjatë ditës së sotme vizitoi vendin ku po gryhen gërmimet, nga ku deklaroi se gjatë qëndrimit të tij janë zbuluar edhe mbetje të reja mortore, derisa ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzikës, antropologët, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe EULEX-it po vazhdojnë punën në terren.

Kurti ka thënë se Qeveria do të ofrojë mbështetje të plotë për procesin e gërmimeve, me synimin që familjet e personave të zhdukur ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.

Ai u shpreh se duhet të priten rezultatet e analizave të ADN-së, por se me shumë gjasë mbetjet mortore u përkasin grupit prej 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët, sipas tij, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga forcat serbe më 19 prill 1999.

“Është dhimbje, pikëllim e mundim që të shohësh 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta që u përpoqën ta varrosin e ta zhdukin, po del në dritë”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se vendndodhja e varrezës masive është e vështirë për t’u arritur me automjet, duke vlerësuar se kjo ishte bërë me qëllim të fshehjes së krimit.

“Do të vazhdojnë gërmimet edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, sepse eshtrat janë të shpërndara dhe ndodhen buzë një prroi, i cili në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.

Gjatë vizitës së sotme në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive, Kurti ka thënë se, në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona që vite më parë kishin dëshmuar për krimet e luftës që janë kryer në Kosovë.

Sipas tij, në Serbi po arrestohen njerëz nën akuza për spiunazh, vetëm pse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Kurti përmendi edhe dosjen e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën ka thënë se lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

“Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, është klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”, deklaroi ai.

Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të angazhohen për deklasifikimin e këtyre dokumenteve, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, SHBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, ka deklaruar Kurti.