Stanet e Shipkovicës janë ndër perlat e Malit Sharr, që vitet e fundit po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. Bukuria e këtij lokacioni nuk mbetet më vetëm sekret i banorëve lokalë, por përmes rrjeteve sociale kjo zonë po arrin te mijëra njerëz, duke nxitur interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj. Pikërisht këtë po e bën Blerina Demiri e cila ua shfaqë mijëra ndjekësve bukuritë dhe traditat e kësaj zone, shkruan Portalb.mk.
E lindur dhe e rritur në Shipkovicë, në rrëzë të Malit Sharr dhe pak më poshtë Staneve, Blerina Demiri fëmijërinë e saj e ka kaluar mes maleve dhe natyrës. Më pas, jeta e çoi drejt qytetit, por vitet e fundit ajo thotë se është rikthyer te ajo që e kishte përjetuar që në fëmijëri, te qetësia dhe jeta në mal.
Kështu ajo rastësisht vendosi që të hap një profil në rrjetet sociale (stanet_e_shipkovices) ku do të shfaqë jetën në stane, e cila më pas arriti te qindra-mijëra shikues.
Disa sekonda pamje, mijëra shikime
Ajo tregon se promovimi i Staneve të Shipkovicës nisi si dëshirë personale, pa ndonjë plan të veçantë për të krijuar përmbajtje turistike. Por disa video të shkurtra në rrjetet sociale sollën interes shumë më të madh nga sa kishte pritur.
“Thjeshtë e kam provuar me disa video të shkurta dhe e kam parë se interesi i njerëzve për të parë malin, natyrën, gatimet në natyrë ka qenë shumë i madh. Videot kanë ecur shumë dhe interesi i njerëzve jo vetëm për të ardhur për ta vizituar malin ose Stanet e Shipkovicës por interesi për të ardhur për të ndejtur me ne, për të kaluar kohë te stani është shumë i madh”, thotë Demiri.
Rinia është lodhur nga qyteti, duan natyrë
Një pjesë e madhe e interesimit vjen nga të rinjtë, si nga Maqedonia e Veriut, ashtu edhe nga Kosova e Shqipëria.
Demiri thotë se shumë prej tyre duket se janë lodhur nga ritmi i jetës në qytet dhe kërkojnë hapësira më të qeta, në natyrë.
“Rinia ndoshta është lodhur me jetën e qytetit dhe me atë pjesën e zhurmshme dhe ritmike”, thotë ajo.
Interesimi shkon nga vizitat për një kafe në natyrë, deri te kërkesat për të marrë me qira stanet dhe për të kaluar më shumë kohë atje.
Ndjekësit ‘vdesin’ pas ushqimeve tradicionale
Ndër përmbajtjet që tërheqin më shumë interes janë gatimet tradicionale, por jo vetëm.
“Gërshetimi i gatimit dhe natyrës, njerëzit ‘vdesin’ për ta parë, definitivisht ushqimi dhe natyra, pamja, që edhe për mua është vetë kënaqësi. Kryesisht në gjithçka që postoj nga stanet, qoftë një video e shkurtër, qoftë një pamje shumë e thjeshtë, një ujë, dhe më kënaq edhe mua kjo pjesë që njerëzit kanë interes dhe duan të dinë se ku ndodhen Stanet e Shipkovicës”, thotë Blerina.
Vështirë të promovohet një destiancion kur mungon infrastruktura
Pavarësisht interesimit të madh, sfidë në vete mbetet infrastruktura dhe sinjalistika rrugore që të çon deri në këtë pikë. Siç tregon Blerina, kjo më shumë i prekë vizitorët e huaj, të cilët e kanë vështirë t’i orientojnë.
Megjithatë ajo tregon se në këtë drejtim së fundmi ka lëvizje pozitive, qoftë nga popullata vendase qoftë nga Institucioni Parku Nacional ‘Mali Sharr’.
“Javët e fundit ne që jetojmë te stanet kemi marrë iniciativë për ta rregulluar rrugën pasi nuk ka qenë e kalueshme me veturë edhe pse në këmbë është bërë nga njerëzit që kryesisht kanë ardhur të vizitojnë, por tani është bërë edhe pjesa e rrugës, pjesë që merr kohë dhe buxhet për tu rregulluar”, thotë Blerina.
Ajo sqaron se stanet nuk kanë nevojë të madhe për ndryshime, “stani duhet të mbetet kështu siç është të mos e humbet pamjen që e ka”, investimet sipas saj duhet të bëhen në infrastrukturë, sinjalizim dhe rrugë.
“Mjaftueshëm ndoshta nuk do të jetë asnjëherë por unë jam shumë pozitive mendoj se interesi i njerëzve e ka nxitur edhe vullnetin e institucioneve për të dhënë pak më shumë. Parku Nacional besoj se është duke bërë punë të mirë kohëve të fundit, unë personalisht do jap kontributin tim në pjesën e Staneve”, thekson Demiri.
Mali Sharr duhet të merr trajtimin që e meriton
Me rritjen e numrit të vizitorëve, sipas Demirit, shtohet edhe nevoja për kujdes ndaj mjedisit.
Ajo veçon problemin me mbeturinat, veçanërisht në zonën e Gurit të Sidollit, ku, sipas saj, mbeten mbeturina pas vizitave në natyrë.
“E para e punës për ta pasur dhe ruajtur këtë natyrë që na ka falur zoti është mirë të fillojmë ta konsiderojmë të gjithë si vendin tonë për aq kohë sa kalojmë në natyrë”.
Ajo thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes nga zjarret si dhe se në Malin Sharr ka nevojë për më shumë aktivitete të cilat do tërheqin vizitorë vendas dhe të huaj.
“Terreni është i jashtëzakonshëm për tu lënë në harresë edhe për tu mos organizuar gjëra që mund ta zhvillojnë agroturizmin sepse unë besoj që e ardhmja e bizneseve do jetë agroturizmi brenda 5 ose 10 viteve”, tha Demiri.
Në fund, Blerina ritheksoi se do vazhdojë të promovojë këtë destinacion.
“Unë pjesën time për ta promovuar pjesën e staneve do e vazhdoj, plane për të promovuar diçka më shumë ose për të organizuar diçka më shumë ndoshta do të ketë në të ardhmen, por për momentin do qëndrojmë te promovimi në rrjetet sociale”.
Ndryshe, javën e kaluar banorët e zonës së bashku me Shoqatën për promovimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe zhvillim rural ‘Cesard”, me një program plot aktivitete e organizuan ‘Ditën e Staneve 2026’ ku morën pjesë rreth 400 pjesëmarrës nga vendi dhe rajoni.



