Mushkolaj: Serbia arreston dëshmitarin e krimit, serbin me origjinë nga Istogu

“Në Serbi është arrestuar Ranko Tepavac, serb me origjinë nga Istogu, i dyshuar sipas autoriteteve serbe për “spiunazh”, në lidhje me rastin e zhdukjes së 23 intelektualëve nga Mitrovica. Tepavac ishte dëshmitar i krimit.

Në vitin 2003 ai ua kishte dhënë një deklaratë hetuesve të UNMIK’ut dhe Policisë së Kosovës, duke përshkruar hollësisht ngjarjen e 19 prillit të vitit 1999, me ç’rast ishin vrarë 23 civilë shqiptarë dhe trupat e tyre ishin varrosur në luginën e fshatit Kalludër e Vogël të Zubin Potokut.

Sipas deklaratës, ai gjatë luftës kishte qëndruar në Kalludër të Madhe dhe kishte parë një grup civilësh shqiptarë, të cilin e kishte ndaluar grupi i Jovica Utviqit nga Kalludra e Vogël. Utviq ua kishte marrë paratë dhe sendet me vlerë, duke u premtuar se do t’i linte të vazhdonin rrugën drejt Ulqinit. Më pas i kishte urdhëruar të ktheheshin dhe, kur ata ishin kthyer, kishte shtënë mbi ta dhe i kishte vrarë. Dikush nga banorët e fshatit e kishte njoftuar menjëherë policinë, e cila kishte ardhur në fshat dhe kishte urdhëruar që të vrarët të varroseshin.

Në Kalludër të Vogël po vazhdojnë gërmimet, në lokacionin ku dyshohet se ishin varrosur trupat e 23 shqiptarëve të vrarë.
Beogradi, në vend që të ndihmojë në zbardhjen e krimeve, arreston dëshmitarin e krimit dhe e akuzon për spiunazh. Kaq për Serbinë “demokratike” të Aleksandër Vuçiqit”, ka shkruar ne fejsbukun e tij, gazetari dhe analisti nga Prishtina Ymer Mushkolaj.