Rreth 49 mijë migrantë u futën në enklavën spanjolle të Ceutas

Rreth 49,000 migrantë kanë hyrë në enklavën spanjolle të Ceutas nga Moroku në 24 orët e fundit, sipas zyrtarëve.

Qeveria spanjolle të enjten vonë ka dislokuar trupa shtesë në Ceuta pasi mori informacion se mijëra njerëz notuan dhe kaluan në këmbë drejt territorit të vogël.

Shumica prej këtyre njerëzve nga videot dukeshin se ishin burra të rinj, por kishte edhe fëmijë e gra.

Achraf Maimouni, anëtar i Shoqatës Marokene për të Drejtat e Njeriut, e përshkroi situatën si “të jashtëzakonshme”. Ai tha se pika kufitare e Tarajalit ishte hapur “nën rrethana të pazakonta” të enjten në mëngjes dhe njerëzit kishin kaluar përtej kufirit.

Juan Jesús Vivas, presidenti i Ceutës, kërkoi dislokimin e forcave shtesë të policisë dhe ushtrisë “për të garantuar paprekshmërinë e kufirit” dhe sigurinë e qytetarëve. Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë qendrore të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kombëtare për shkak të kalimeve kufitare.

Të paktën 34 të vdekur në përpjekjen për ta kaluar kufirin, 60 mijë migrantë hyjnë në Ceuta

1 o. më parë / 31 kor 2026 14:55
ce

Photo: Associated Press

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt territorit spanjoll të Ceutës, ndërsa rreth 60 mijë migrantë kanë hyrë në këtë qytet autonom spanjoll në Afrikën e Veriut brenda 24 orëve të fundit.

Shifrat janë bërë të ditura nga presidenti i Ceutës, Juan Jesus Vivas, i cili e përshkroi situatën si krizë të papërballueshme për qytetin, raporton BBC.

Fluksi i madh i migrantëve lidhet me një vendim të Gjykatës Supreme të Spanjës, e cila këtë muaj vendosi se migrantët e ndaluar gjatë përpjekjeve për të hyrë në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok. Para kthimit, secili rast duhet të shqyrtohet nga autoritetet spanjolle.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e përshkroi situatën si një “sulm” dhe tha se qeveria po punon për kthimin në Marok të të gjithë migrantëve që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Qeveria do të garantojë sigurinë e banorëve të Ceutës, duke rritur praninë e forcave të sigurisë në rrugët e qytetit. Për më tepër, do të vendosim një barrierë fizike penguese në det, për të lehtësuar kthimin e migrantëve në kufi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme. Do të përshpejtojmë procedurat e riatdhesimit për migrantët që kanë mbërritur në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, do të vazhdojmë bashkëpunimin me autoritetet marokene për të luftuar rrjetet kriminale që merren me trafikimin e qenieve njerëzore” ka deklaruar Sanchez.

Autoritetet lokale të Ceutës kishin kërkuar ndihmë nga qeveria në Madrid pas rritjes së përpjekjeve për kalime të paligjshme, por të enjten situata doli jashtë kontrollit, pasi kontrollet kufitare duket se u dobësuan.

Disa liderë evropianë kanë shprehur shqetësim dhe kanë premtuar forcim të kontrolleve kufitare.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se kishte dhënë tashmë udhëzime për rritjen e menjëhershme të kontrolleve në kufirin me Spanjën.

Kryeministrja e djathtë e Italisë, Giorgia Meloni, tha se vendi i saj ishte i gatshëm “të ndërhyjë me masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur kufijtë dhe sigurinë e qytetarëve”, përfshirë edhe mundësinë e pezullimit të zbatimit të zonës Shengen me Spanjën.

E ministrja e Brendshme e Finlandës, e cila gjithashtu i përket një partie të djathtë, mbështeti propozimin e Melonit dhe tha se Bashkimi Evropian duhet të ndjekë shembullin e Italisë.

Ceuta, e vendosur në bregdetin verior të Marokut, është një nga pikat kryesore ku migrantët përpiqen të hyjnë në Evropë. Qyteti është pjesë e Spanjës dhe ndahet nga territori spanjoll në Evropë nga ngushtica e Gjibraltarit.

Ceuta dhe Melilla kanë qenë nën kontrollin spanjoll që nga shekulli i 15-të dhe që prej vitit 1995 gëzojnë një shkallë të kufizuar autonomie.