Shkruan: Fejzi HAJDARI
Paralajmërimi për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Serbisë në Shkodër dhe të një përfaqësie konsullore shqiptare në Bujanoc, nuk mund të trajtohet thjesht si një çështje teknike e marrëdhënieve diplomatike. Në Ballkan, ku historia ende nuk është mbyllur dhe ku kufijtë, identitetet dhe kujtesa kolektive, vazhdojnë të jenë pjesë e politikës së ditës, çdo hap i tillë kërkon shumë më tepër se një arsyetim formal mbi “reciprocitetin”.
Pikërisht këtu qëndron problemi me qasjen e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Pyetja themelore nuk është nëse Shqipëria mund të hapë një konsullatë në Bujanoc, apo nëse Serbia mund të hapë një konsullatë në Shkodër! Pyetja do të duhet të ishte: a janë këto dy veprime vërtet të barabarta në peshën e tyre politike, strategjike dhe simbolike?
Sepse, diplomacia nuk është vetëm matematikë. Nuk mjafton të thuash: “Një konsullatë atje, një konsullatë këtu, pra, jemi baraz!”. Në politikën ndërkombëtare, rëndësi ka edhe konteksti, qëllimi, historia dhe mënyra se si një shtet e përdor praninë e tij diplomatike.
Në këtë kontekst, Serbia ka një histori që s’mund të fshihet me një marrëveshje të re diplomatike.
Ish-Jugosllavia u përfshi në një varg luftërash tragjike gjatë shpërbërjes së saj në vitet ’90 dhe në fund të dekadës në Kosovë. Konfliktet në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, lanë pas qindra mijëra viktima, miliona të zhvendosur dhe plagë, që ende nuk janë shëruar.
Institucionet ndërkombëtare të drejtësisë kanë dokumentuar krimet e kryera gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë.
Në këtë kontekst, shqiptarët kanë arsye të jenë të kujdesshëm ndaj çdo forme të rikthimit të politikës së ndikimit serb në hapësirat shqiptare.
Për dekada, nacionalizmi serb është ushqyer nga ideja se hapësirat ku jetojnë serbët, duhet të konsiderohen pjesë e një hapësire më të gjerë politike serbe. Në diskursin nacionalist serb janë shfaqur formula të ndryshme për këtë ide, përfshirë pretendimin se prania e një varri serb, mund të shërbejë si argument territorial. Pra aty ku ka një varr serbi, aty do të duhej të jenë kufijtë e Serbisë. Nën këtë pretekst serbët i filluan të gjitha luftërat, gjatë viteve të nëntëdhjeta në Jugosllavinë e atëhershme. Pikërisht kjo logjikë duhet të kundërshtohet politikisht: varret janë dëshmi e historisë, por nuk janë tituj pronësie mbi territore dhe as bazë për pretendime sovraniteti.
Historia e rajonit tregon gjithashtu se ideja e zgjerimit të ndikimit serb nuk ka qenë vetëm një fenomen i pasluftës. Në shekullin XIX dhe XX janë hartuar projekte politike e nacionaliste që synonin zgjerimin e shtetit serb dhe ndryshimin e realiteteve etnike, në territore të banuara nga shqiptarë.
Në dokumente dhe projekte të ndryshme të nacionalizmit serb, nga “Naçertanija” (1884) te diskutimet e mëvonshme për Kosovën, shfaqet ideja e konsolidimit territorial dhe demografik të shtetit serb. Një dokument i Parlamentit britanik mbi planet serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, përmend edhe projektet historike të Ilija Garashaninit dhe Vasa Çubrilloviqit, si pjesë të këtij konteksti.
Edhe Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), i njohur si Memorandumi SANU i vitit 1986, mbetet një pikë e rëndësishme referimi në debatin mbi nacionalizmin serb të fundit të shekullit XX.
Prandaj, kur sot flitet për praninë e Serbisë në Shkodër, nuk është e arsyeshme që shqiptarëve t’u thuhet thjesht: “Mos u shqetësoni, është vetëm një konsullatë”.
Jo, historia nuk lejon një naivitet të tillë.
Konsullata është institucion diplomatik. Por çdo institucion diplomatik mund të shërbejë edhe si pikë kontakti, ndikimi, komunikimi dhe promovimi i interesave të shtetit që e hap. Kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e paligjshme; është vetë natyra e diplomacisë. Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria duhet të jetë e vetëdijshme se çfarë interesash strategjike mund të ketë Serbia përtej shërbimeve konsullore.
Këtu qëndron edhe problemi me Bujanocin?
Të vendosësh në të njëjtën peshore, Shkodrën dhe Bujanocin, vetëm sepse në të dyja rastet bëhet fjalë për konsullata, do të ishte një thjeshtëzim i rrezikshëm.
Shkodra është një nga qytetet më të rëndësishme historike, kulturore dhe politike të Shqipërisë. Bujanoci, ndërkaq, ndodhet në Luginën e Preshevës, në një hapësirë ku shqiptarët përbëjnë një komunitet autokton dhe ku çështjet e të drejtave të tyre, përfaqësimit politik, përdorimit të gjuhës dhe zhvillimit ekonomik, kanë qenë prej vitesh pjesë e debatit politik.
Prandaj, nëse Shqipëria hap një konsullatë në Bujanoc, ajo duhet të jetë shumë më tepër se një kundërpeshë simbolike ndaj konsullatës serbe në Shkodër. Ajo duhet të jetë një instrument real për mbrojtjen e interesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ofrimin e shërbimeve konsullore dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike, kulturore e arsimore.
Në të kundërtën, rrezikojmë të kemi një “reciprocitet diplomatik” në letër, por një pabarazi politike në terren.
Një gjë duhet t’iu bëhet me dije shqiptarëve kudo qofshin ata: Serbia nuk ka hequr dorë nga ambiciet e saj për të qenë fuqia dominuese politike e Ballkanit Perëndimor. Përmes diplomacisë, ekonomisë, energjisë, kulturës, mediave dhe lidhjeve politike, Beogradi ka ndërtuar dhe vazhdon të ndërtojë një rrjet ndikimi në rajon.
Dhe, për fat të keq, në historinë e shqiptarëve nuk kanë munguar asnjëherë njerëzit që, për interesa të ngushta politike, ekonomike apo personale, kanë qenë të gatshëm të bëhen pjesë e projekteve që nuk përputhen domosdoshmërisht me interesin kombëtar.
Prandaj, problemi nuk është vetëm Serbia.
Problemi është edhe naiviteti shqiptar, përballë strategjive të mirëllogaritura të fqinjëve.
Hapja e Konsullates dhe bashkëpunimi, nuk duhet të ngatërrohen me mungesën e kujtesës historike. Një shtet serioz nuk harron historinë e tij, vetëm sepse dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me një fqinj.
Prandaj, Edi Rama dhe Ferit Hoxha, duhet të japin përgjigje të qarta për disa pyetje themelore:
-Çfarë përfiton konkretisht Shqipëria nga kjo marrëveshje?
-Çfarë garancish ka se prania konsullore serbe në Shkodër nuk do të përdoret për qëllime politike apo të ndikimit?
-Çfarë do të fitojnë konkretisht shqiptarët e Luginës së Preshevës nga konsullata shqiptare në Bujanoc?
-A do të ketë Shqipëria një strategji të qartë për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, apo konsullata do të mbetet thjesht një simbol diplomatik?
Dhe mbi të gjitha:
-A është kjo marrëveshje një hap drejt normalizimit të vërtetë rajonal, apo një tjetër rast ku Shqipëria po jep më shumë sesa po merr?
Këto janë pyetjet që duhet të bëhen.
Sepse në Ballkan, diplomacia pa kujtesë historike, mund të shndërrohet në naivitet politik.
Shqipëria duhet të jetë për paqen, bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë. Por, paqja nuk ndërtohet duke harruar historinë. Bashkëpunimi nuk kërkon dorëzim të interesave kombëtare. Dhe fqinjësia e mirë nuk nënkupton mbylljen e syve ndaj ambicieve hegjemone të askujt.
Nëse Serbia dëshiron marrëdhënie të reja me shqiptarët, atëherë ajo duhet të dëshmojë se ka ndryshuar realisht qasjen e saj ndaj fqinjëve dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve.
Historia e Ballkanit na ka mësuar një gjë të hidhur:
Kur një shtet ka ambicie hegjemone, ai nuk vepron gjithmonë vetëm me ushtri. Ndonjëherë vepron me diplomaci, ekonomi, propagandë, ndikim kulturor dhe rrjete politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo hap i ri duhet parë me qetësi, por edhe me vigjilencë.
Dhe mbi të gjitha, Tirana nuk duhet të harrojë se shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk kanë nevojë për një konsullatë që shërben vetëm si simbol i reciprocitetit. Ata kanë nevojë për një shtet shqiptar që e kupton realitetin e tyre, i mbron interesat e tyre legjitime dhe e trajton Bujanocin, jo si monedhë këmbimi diplomatik, por si pjesë të një përgjegjësie të vazhdueshme kombëtare dhe evropiane.



