Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes një press konference akuzoi qeverinë për humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga Bashkimi Evropian (BE), mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, shkruan Portalb.mk.
Në një konferencë për media, Bekim Rexhepi tha se bëhet fjalë për një dështim serioz që, sipas tij, i ka kushtuar vendit një mundësi historike për zhvillim ekonomik dhe avancim të infrastrukturës.
Rexhepi deklaroi se humbja e grantit nuk është një akuzë politike, por fakt i dokumentuar në aktet zyrtare të dorëzuara nga vetë Qeveria në Kuvend. Sipas tij, fondet IPA nuk janë më të disponueshme pasi tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është lidhur brenda afatit të paraparë.
Ai rikujtoi se në fund të vitit 2023, kur BDI ishte pjesë e qeverisë, ishte siguruar një paketë financiare prej rreth 560 milionë eurosh për realizimin e projektit. Paketa, sipas tij, përfshinte 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, 175 milionë euro kredi nga BERZH, 149 milionë euro grant nga WBIF dhe 60.77 milionë euro grant IPA nga Bashkimi Evropian.
Sipas Rexhepit, ky financim ishte rezultat i besimit të partnerëve evropianë dhe i angazhimit për ta vendosur Korridorin 8 në mesin e prioriteteve strategjike të shtetit. Ai shtoi se BDI kishte paralajmëruar më herët se qeveria aktuale nuk e kishte këtë projekt prioritet dhe se zvarritja e procedurave do të sillte pasoja konkrete.
Në konferencë u theksua se Korridori 8 është një projekt me rëndësi panevropiane, pjesë e rrjetit strategjik të transportit të Bashkimit Evropian dhe me vlerë të veçantë edhe për NATO-n, pasi lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe konsiderohet faktor i rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
BDI vlerësoi se zvarritja e projektit dhe humbja e fondeve evropiane krijojnë dyshime serioze për qasjen e qeverisë ndaj projekteve strategjike euroatlantike, duke lënë të kuptohet se ato nuk po trajtohen si prioritete.
Në fund, Bekim Rexhepi kërkoi përgjigje nga qeveria se kush mban përgjegjësi për humbjen e 60.77 milionë eurove, pse nuk u respektuan afatet për realizimin e projektit dhe nëse tani qytetarët do të detyrohen ta mbulojnë nga buxheti i shtetit atë që Bashkimi Evropian kishte planifikuar ta financonte si grant.
Ai theksoi se BDI do të vazhdojë të mbështesë realizimin e Korridorit 8 dhe orientimin euroatlantik të vendit, duke e cilësuar projektin si interes strategjik të shtetit dhe jo si çështje partiake.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbeti pa fondet IPA të parashikuara për ndërtimin e pjesës së tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, pasi brenda afatit të paraparë nuk u lidh kontrata për ndërtimin.
Për të vazhduar realizimin e projektit, Qeveria i ka dorëzuar Kuvendit ndryshimet në ligjet për kreditë nga BERZH-i dhe BEI-ja, me të cilat nuk kërkohet huamarrje e re, por ndryshohet mënyra e realizimit të projektit.
Në arsyetimin e të dyja projektligjeve thuhet se tenderi i shpallur në vitin 2024 ishte anuluar, pasi brenda afatit të paraparë nuk ishte lidhur kontrata për ndërtim.
Për këtë arsye, fondet IPA të siguruara për projektin nuk janë më në dispozicion, ndërsa Sektori për Financim Qendror dhe Lidhjen e Kontratave i Ministrisë së Financave e humb kompetencën për zbatimin e tij.
Modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Korridori 8 është një nga korridoret evropiane të transportit që duhet të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.



