Ambasadori Meidani uron Shkëndijën: Sonte të gjithë festojmë me ju!

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka uruar KF Shkëndija pas fitores së rëndësishme ndaj skuadrës sllovene dhe kualifikimit në turin e tretë të Ligës së Konferencës.

Përmes një mesazhi publik, Meidani vlerësoi paraqitjen e skuadrës tetovare, duke e cilësuar atë spektakolare dhe fitoren plotësisht të merituar.

“Urime kampionëve të Shkëndijës së Tetovës për lojën spektakolare, fitoren e merituar ndaj skuadrës sllovene dhe kualifikimin në turin e tretë të Ligës së Konferencës! Kur luhet me zemër, karakter dhe krenari kuqezi, asnjë sfidë nuk është e pakalueshme. Sonte të gjithë festojmë me ju!”, shkroi ambasadori, duke e shoqëruar mesazhin me simbolet kuqezi.

Shkëndija siguroi kalimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, duke vazhduar rrugëtimin e saj në garat evropiane dhe duke sjellë një tjetër sukses të rëndësishëm për futbollin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.